E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizitë në Qipro për talaseminë

01/02/2010  Liri Berisha
Vendet e Mesdheut bashkohen në marrjen e masave për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga talasemia. Në takimin e zhvilluar në Qipro, ku merrnin pjesë personalitete të larta të Libanit, Greqisë, e ftuar ishte edhe zonja Liri Berisha. Është diskutuar për ndihmën që mund të shkëmbejnë këto vende ndërmjet tyre për këtë sëmundje. Gjatë këtij takimi është finalizuar edhe themelimi i “Rrethit të Personaliteteve të Shquara”, që do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi çrregullime të hemoglobinës. Rrethi i Personaliteteve të Shquara do të ketë si objektiv kryesor mbështetjen e përpjekjeve të Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë në rritjen e ndërgjegjësimit të çrregullimeve hemoglobine efektive e parandalimit të tyre, si dhe për ngritjen në shkallë maksimale të kujdesit ndaj pacientit. Ndërkohë që kjo federatë prej shumë vitesh është prezent në vendin tonë, duke kontribuar në mënyrë aktive si për sa i përket mbështetjes profesionale, ashtu dhe duke siguruar aparatura të ndryshme mjekësore për këtë kategori pacientësh. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, zonja Berisha theksoi se “është kaluar nga trajtimi fillestar në atë bashkëkohor: transfuzione ose hipertransfuzione, shoqëruar me eliminues të hekurit. Që nga viti 2005 shteti shqiptar rimburson 100 për qind pacientët që marrin medikamentin Deferosirox (EXJADE), në ndryshim nga vende të tjera, që nuk e rimbursojnë atë. Ky medikament është mjaft komod për pacientin, pasi ata marrin vetëm 1 tabletë nga goja para transfuzionit, duke zëvendësuar infuzionet në bark me desferal me pompë për 24 orë, që ishte traumatike për pacientin”. Më pas zonja Berisha prezantoi masat e marra nga Qeveria për të rritur sasinë, sigurinë dhe cilësinë e gjakut të mbledhur, si përmirësimi i kuadrit ligjor dhe hartimi i një programi kombëtar për dhurimin vullnetar të gjakut. Nismëtarët në takim vendosën që për vitin në vazhdim ky rreth do të drejtohet nga Zonja e Parë e Qipros, dhe që çdo dhjetor kjo stafetë drejtimi do të kalojë nga njëri personalitet nismëtar i një vendi në tjetrin. Gjithashtu Rrethi do të koordinohet nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›