E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza botërore vs kriza shqiptare

“Nuk ka mjete për shmangien e kolapsit përfundimtar të një bumi të shkaktuar nga zgjerimi i kreditimit” - Ludwig von Mises. Më 23 shtator 2009, ministri i Financave, Zoti Ridvan Bode, pranoi publikisht se ekonomia shqiptare ishte prekur nga kriza, dukuri, që mbi të gjitha tregoi se ishte prekur mirëqenia e qytetarit në përgjithësi dhe, veçanërisht, e qytetarit me të ardhura të ulëta dhe pensionistit. Pranimi mori kuptim nga përkufizimi që i bëhet termit teknik “recesion”, si rritje negative e ekonomisë në dy tremujorë të njëpasnjëshëm. Institucionet ndërkombëtare, ndër to OECD, nobelistë dhe analistë të njohur të ekonomisë botërore gjatë javës 14–20 shtator, deklaruan se recesioni në SHBA do të vazhdojë deri në vitin 2012, ndërsa viti 2010 do të jetë një vit me një rritje të dobët ekonomike, që nuk mund ta mposhtë papunësinë e vendeve më të pasura të botës (përfshirë ato vende nga ku vijnë dërgesat në euro prej emigrantëve shqiptarë). Kësisoj për të gjykuar drejt mbi efektet e ndikimit të krizës ekonomike botërore në ekonominë e vendit, tregues të besueshëm do të ishin (ashtu sikundër janë në mbarë botën) papunësia dhe pagat. Por mungesa e të dhënave dhe llogarive të besueshme në lidhje me pasurinë, nuk të jep një pamje të plotë në lidhje me pasurinë; përdorimi i treguesit të PBB–së (deklaratave të qeverisë, të FMN–së, të BB–së dhe organizmave të tjera në lidhje me përqindjet e rritjes), nuk kanë siguruar të dhëna unike që do të tregonin shkallën e ndikimit të krizës mbi ekonominë e vendit, gjë që ka detyruar çdo ekonomist të jetë skeptik në lidhje me përcaktimin e nivelit të mirëqenies së qytetarit.
Të dhënat në lidhje me huadhënien për bizneset e vogla dhe të mesme përgjithësohen, ndërkohë që do të ishte mirë të bëhej krahasimi i tyre me të dhënat për periudhat e njëjta paraprake; nuk ka pasur shpjegime në lidhje me shtrëngimet dhe kufizimet e huadhënies, të cilat mund të rezultojnë me efekte të kundërta në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit në vitin 2010 e më pas. Në rrethana të tilla të flasësh për ndikimin e krizës ekonomike botërore në ekonominë e vendit pa bërë më parë të prezantimin e fakteve dhe dëshmive, do të thotë që ndikimin e krizës ekonomike botërore mbi ekonominë e vendit, më shumë ta trajtosh si një mit se sa një dukuri të mbështetur në fakte dhe dëshmi, pale më në shkencë. Më 24 dhjetor 2008, u regjistrua për herë të parë zhvlerësimi i monedhës euro me kursin 1 euro = 123 lekë; gradualisht, zhvlerësimi i monedhës vendase kundrejt euros, pësoi një rritje të dukshme, përkatësisht sipas kurseve të mëposhtme:

1 euro = 131,2 lekë; 10 Mars 2009
1 euro = 131,1 lekë; 12 Mars 2009
1 euro = 130,8 lekë; 13 Mars 2009
1 euro = 129,9 lekë 22 Qershor 2009
1 euro = 131,1 lekë; 07 Korrik 2009
1 euro = 133.64 lekë 12 Shtator 2009
1 euro = 134,31 lekë 22 Shtator 2009
1 euro = 140 lekë 14 Janar 2010

Në gusht të vitit 2009, ekspertë të fushës patën shprehur shqetësimin e tyre për një zhvlerësim të mëtejshëm të monedhës lekë, ndërkohë që zhvlerësimi, si dukuri, pat prekur jo vetëm lekun, por edhe monedhat vendase të vendeve të Evropës Juglindore. Vlera e përgjithshme e huave që dhanë bankat e nivelit të dytë për sektorin shtetëror dhe privat gjatë vitit 2008, vlerësohet rreth 1 miliard euro, prej të cilave rreth 500 milionë euro iu dhanë sektorit privat; për vitin 2009 huadhënia për biznesin privat llogaritet rreth 100 milionë euro (rreth 400 milionë euro më pak se në vitin 2008). Në këto kushte biznesi iu adresua huamarrjes në tregun informal. Të dhënat tregojnë se rreth 30 për qind e parasë qarkullon jashtë sistemit bankar, ndërsa të ardhurat nga sektori informal vlerësohen 30–60 për qind të PPB–së (sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2008 dhe 2009). Revista “Monitor”, Nr. 400, faqe 17, artikulli me titull: “Piramida” e tregut të zi, ndër të tjera, thekson: 10.000–1.000.000 euro është vlera mesatare e huasë që merret kryesisht nga bizneset në tregun e zi; 18–24 për qind është norma vjetore e interesit; 180 ditë – 1 vit është periudha e afateve të pagesave në industritë e prodhimit të materialeve të ndërtimit, por edhe vetë sektorit të ndërtimit; 30–120 ditë është periudha e afateve të pagesave nga partneret e huaj për fasonistët shqiptarë; 30–90 ditë janë afatet e pagesave nga klientët e huaj për bizneset eksportuese. Ndërsa në faqen 20, artikulli me titull: “Si po lulëzon tregu i zi” jep detaje mbi aktorët dhe llojet e veprimtarive që ushtrojnë ata në tregun e zi.
Nxitja e sipërmarrjes private, ose burimi më i rëndësishëm i rritjes ekonomike është ngadalësuar; është zvogëluar huadhënia për bizneset shqiptare, ose burimi jetik i investimeve, janë zvogëluar shitjet, si dhe ruajtja e vendeve të punës, edhe pse besimi i depozituesve shqiptarë gjatë muajve të fundit të vitit 2009 u rrit; oferta në euro u ul për shkak të zvogëlimit të dërgesave nga emigrantët dhe zvogëlimit të huadhënies nga bankat tregtare; kërkesa në euro u rrit për shkak të riatdhesimit të dividentit nga investitorët e huaj; ranë të ardhurat në euro nga eksportet; u përkeqësua deficiti tregtar; u rritën pagesat për interesa nga financimet e huaja. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg në rastet e luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit në tregun valutor duke shitur euro për të shmangur çrregullimet dhe qetësuar tregun, por nuk ka arritur ta mbajë monedhën vendase lekë në nivelin e shkëmbimit të viteve të kaluara. Pasojat, dukshëm, u shfaqën te papunësia në sektorin e ndërtimit dhe prodhimit me porosi (fason); u rrit deficiti buxhetor dhe borxhi; u rrit me ritme më të vogla PBB–ja, ndërkohë që u rrit diferenca ndërmjet PBB–së dhe PBK–së (ose u ul niveli i jetesës së qytetarëve shqiptarë). Shtyrja e ngadalësimit të rënies ekonomike me anë të huazimit të parasë duke rritur përqindjen e interesit për bonuset e thesarit, që arriti shifrën 9,4 për qind në vitin 2009, nuk dihet se çfarë pasojash do të ketë mbi ekonominë në muajt e vitit 2010 e më tej. “Albania Business Forecast Report Q4 2009” parashikon se rënia e dërgesave nga emigrantët (pjesë e Produktit të Përgjithshëm Kombëtar – PPK, ose pasurisë së vendit) do të ndikojë mbi rritjen ekonomike; huadhënia në vitin 2010 do të njohë ulje dhe ekonomia shqiptare vetëm në vitin 2013 do të arrijë nivelet e parakrizës. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) për vendet e Ballkanit që nuk janë anëtarë të BE–së parashikon një tkurrje të punësimit nga 1 deri 2,8 për qind, ose një papunësi në shifrën 16 për qind në fund të vitit 2009. Këto të dhëna përkojnë me prirjet e parashikuara në “Regional Economic Outlook”, përgatitur nga një grup specialistësh të FMN–së, ku rritja ekonomike parashikohet e sheshtë, sepse ende mbetet e cunguar rritja e kreditimit të ekonomisë nga sasia e huasë së pamjaftueshme, rënia e fuqisë së bankave dhe e kërkesës së jashtme (për eksport).
Rënia ekonomike evropiane, një prej më të thellave dhe më të gjatave në bazë të të dhënave që disponohen, pas goditjes që mori në periudhën e hershme të vitit 2009, duket se ka mbaruar në mesin e vitit 2009, e ndihmuar nga kthimi i besimit dhe tentativa në ngritje e tregtisë globale. Megjithatë, indeksi kryesor i inflacionit mbetet i ulët, duke pasqyruar zhvillimet e çmimeve të mallrave dhe kërkesën e dobët, veçanërisht, për investimin; në pjesën më të madhe të ekonomive në emergjencë, veprimtaria ekonomike dhe inflacioni kanë ndjekur shtigje të njëjtë, veçanërisht, në vendet që kanë përjetuar rënie të tepruara të hyrjeve të kapitalit në vend (investimi i huaj). Megjithëse kuadri ligjor në vendet e Evropës merr një rrugëzgjidhje afatmesme, politikëbërësit adaptuan dhe lëvizën me siguri për të adresuar shumë prej sfidave të politikës dhe koordinimit që pozoi kriza; përqindja e interesit u ul, masa jo konvencionale monetare dhe deficitet fiskale të akumuluara me shpejtësi, ndihmuan për të vendosur një dysheme nën veprimtarinë e rënë ekonomike. Për shkak të ribalancimit të kërkesës botërore Evropa nuk mund të mbështetet vetëm te eksportet për të drejtuar shërimin; në të njëjtën kohë freni nga papunësia e rritur dhe nga kreditimi i pakët, pasi bankat vazhdojnë të zvogëlojnë bilancet e tyre të investimit, do të rëndojë mbi veprimtarinë ekonomike. Risqet rreth kësaj linje bazë balancohen gjerësisht: nga njëra anë ngritja e tregtisë globale mund të provonte një zgjatje më të fortë dhe më të madhe se ajo që u parashikua kohët e fundit; nga ana tjetër, huatë e këqija, të lidhura me rënien ekonomike, mund t’i agravonin më tej tensionet në sektorin financiar. Një risk tjetër lidhet me konsumin, i cili mund të vuajë vetëm në qoftë se punësimi kundrejt ciklit korrigjohet ngadalë, duke ngritur prospektin e shërimit të të papunëve, ndoshta me reperkusione negative për besimin, konsumin dhe investimin; përtej afatit të shkurtër, shërimi ka të ngjarë të goditet prej ndikimit të krizës mbi rezultatin potencial dhe prej ngurtësive të mirënjohura strukturore të Evropës. Parashikimi i rritjes ekonomike afatmesme të Evropës është dobësuar nga rënia e investimit për shkak të krizës, ndërkohë që përshkrimi i ndikimit të saktë të krizës dhe të disa prej zhvillimeve që pasojnë, lidhen edhe me çështjet evropiane, që vazhdojnë prej një kohe të gjatë, të tilla si nivelet e mbrojtjes së punësimit dhe mundësive të parealizuara të rritjes ekonomike në tregun e shërbimeve, veçanërisht në ekonomitë e përparuara. Kundrejt kësaj përvoje, politikëbërësve do t’u duhet ta përqendrojnë vëmendjen e tyre në sigurimin e një shërimi të fortë dhe jetëgjatë; në afate të afërta, atyre do t’u duhet të adoptojnë një rrugëzgjidhje më proaktive dhe më të prerë për vlerësimin e risqeve të bilancit që përballojnë bankat dhe të bëjnë veprime për të rikapitalizuar ose ristrukturuar institucionet e domosdoshme dhe për të zgjidhur të tjerat. Përveç kësaj riparimi i mirëpritur i marrëveshjeve të stabilitetit financiar të BE–së duhet të vihet shpejt në jetë që të garantojë koordinimin efektiv të mbikëqyrjes financiare ndërkufitare, që përfshin atë ndërmjet ekonomive të përparuara dhe atyre në emergjencë, si dhe të udhëheqë vënien në jetë të rregullores së makromaturisë për ta ruajtur kundrejt risqeve të ardhme të sektorit financiar. Rritja ekonomike potenciale lidhet fort me të gjithë elementët e axhendës politike të Evropës, që i duhet të lëvizë shpejt për të riparuar dëmin që ka shkaktuar kriza në rezultatin e përgjithshëm për të pasur një shërim më dinamik dhe më të fortë, i cili ndër të tjera do të forcojë qëndrueshmërinë financiare dhe të lehtësojë problemet e daljes; pasiguria që rrethon madhësinë e rënies së rezultatit potencial për shkak të krizës është e konsiderueshme. Nga këtë sfond do parë si do të shkojë rritja e ekonomisë shqiptare në vitin 2010 e mbrapa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›