E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditet për licencimin e mjekëve

01/02/2010  Punësimi i stafeve mjekësore në institucionet spitalore
Detyrimi për mjekët, stomatologët dhe farmacistët
Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ushtrojnë profesionin e tyre në vendin tonë si në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe universitar, duhet të regjistrohen për marrjen e licencës. Për të marrë këtë të fundit, ata duhet të plotësojnë një numër të caktuar kreditesh, të cilat do të jenë të detyrueshme. Në të kundërt do të rrezikohet titulli i profesionit. Për fitimin e këtyre kreditove, ata duhet të ndjekin një sërë trajnimesh e specializimesh, të cilat do të jenë vendimtare në marrjen e pikëve kaluese. Kështu, mjekët stomatologët dhe farmacistët, të cilët do të fillojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre (do të licencohen) pas fillimit të ciklit të parë (janar 2010), duhet të përmbushin kërkesat e programit të ricertifikimit. Profesionistët e regjistruar në programin e ricertifikimit duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite në 5 vitet e ciklit të parë të programit të ricertifikimit. Numri i i krediteve të rekomanduara dhe të detyrueshme në secilin vit kalendarik të ciklit të parë është i ndryshëm. Në varësi të planeve të tyre individuale, profesionistët e përfshirë në këtë program duhet të mbledhin të paktën 50 për qind të krediteve të rekomanduara për secilin vit, me kusht që brenda ciklit të parë 5-vjeçar të programit të plotësohet numri i përgjithshëm prej 150 kreditesh. Profesionistët, të cilët zgjedhin të plotësojnë vetëm numrin minimal të detyrueshëm të krediteve për një ose më shumë vite kalendarike të ciklit, duhet që brenda viteve të tjera të ciklit të plotësojnë 150 kreditet e kërkuara. Në të njëjtën mënyrë, profesionistët, të cilët e kalojnë numrin e rekomanduar të krediteve të një ose më shumë viteve kalendarike të ciklit, mund t’i transferojnë këto kredite në vitet pasardhëse të të njëjtit cikël. Në rastet kur profesionisti nuk plotëson numrin e krediteve për secilin vit ose numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh në 5 vjet, atëherë rrezikon ushtrimin e profesionit. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik. Ndërkohë që ata profesionistë, të cilët janë në pension dhe nuk ushtrojnë profesionin e tyre, përjashtohen nga programi i ricertifikimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›