E Diel, 1 Nëntor 2026

Terrori psikologjik mbi popullin, metodat kineze për “bindjen”

Autori i Lajmit: red.
Revolucioni Kulturor

Nga Fritz Radovani

Pas “Fjalimit Programatik” të 6 shkurtit, qyteti i topitur dhe i frikësuar u mbush anë e kënd me “Fletë-rrufe” që mbinin si kërpurdhat. Të dielën e parë ato u vendosën në dyert e Kishave, pastaj të Fretërve në Gjuhadol dhe në Kishën e Shën Kollit në Rus. Kjo stuhi filloi edhe ndër qytete tjera, në Xhaminë e Durrësit, në Lezhë, Milot, Laç etj. Kudo FRIKË! Të gjithë mendonin vetëm një gjë: Të fshiheshin! Të gjithëve u dukej se errësira është më e përshtatshme për këtë punë, prandaj edhe dritat fikeshin herët. Fillonte ndër oxhakë tymi edhe në pikën e verës duke djegur libra, revista, korrespondenca, fotografi “me shokë reaksionarë”, dokumenta historike, figure, “Lahutën e Malcisë” etj. Secili mendonte vetëm për të mos rrezikuar jetën e vet dhe të fëmijëve që mund të lindin edhe pas 10 vjetësh, pasi edhe atëherë do t i ndiqte “lufta e klasave”. Kjo luftë ka vazhduar pa ndërprerje ashtu si burgimet, interrnimet, pushkatimet apo shfarosjet e sa e sa personave e familjeve, që për 45 vjet nuk kanë qenë asnjëherë të lira si Mark Temali, ish- oficer; Prof. Guljelm Deda, Don Mikel Koliqi, që, kur e pyetën se në cilat kampe ka qenë, është përgjigjur: “Nuk besoj se e dinë edhe ata që më kanë burgosur e internuar! ...”

Komunistët shqiptarë, vegla të drejtuara nga ata jugosllavë, bolshevikët rusë dhe nga turli lloji-internacionalistësh aventurierë që vizitonin Shqipninë dhe mbushnin xhepat me pare të këtij populli fukara, do të gjenin skutën e fundit të tyre në vrimat e “Murit të Madh” të Kinës komuniste, ku si minjtë e mbështjellë në thërmijat e librave të kuq, më të famshmet “Dacibao” e “Fletë- rrufé” të stivuara në “veprat e klasikëve të rinj” Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha, linin pa gjumë mijëra familje duke pritur çdo minutë: “A po na kërcet dera sonte!?”... Shtabet e krijuara nga Partia për këtë qëllim punonin ditë e natë në çdo qoshe, ku nuk të shkonte mendja, për të shpërndarë “direktivat”e reja. Detyra kryesore e tyre ishte aktivizimi i “masave” të gjëra në organet e Sigurimit të Shtetit pra, njollosja e njerëzve në masë e mundësisht në çdo familje. Organizatat e Frontit Demokratik, “levat e Partisë”, si gjithmonë të gatshme me organizatat profesionale deri tek “pensionistët” e zellshëm, spiunët e lagjjeve ose, siç njiheshin me emrin “kasketat”, nuk pushonin një minutë por, në stolat e lulishteve e radhët e pafund të dyqaneve duke mbledhur informata, duke rëmuar ndër biografi dhe duke plotësuar “dosje” për mbledhjet e demaskimit të njerëzve ku bëhej edhe arrestimi i tyre. Në një buletin special sekret, Enver Hoxha jep këtë porosi për organizatat bazë të Partisë: “... Përsa u përket elementëve të përjashtuar nga Partia, duhet pasur parasysh, se shumica e tyre nuk janë armiq por, patriotë të mirë ose miq të Partisë. Mjaft prej tyre janë përjashtuar pse janë futur para kohe në Parti ose pse kanë dobësi në punë. Me këta njerëz, organizatat bazë të tregohen të kujdesshme, t i mbajnë afër dhe t i aktivizojnë, ndërsa ndaj të përjashtuarve për arsye politike, organizatat e Partisë duhet të rritin vigjilencën” (E. Hoxha P.P.Sh. Dokumenta Kryesore V- fq. 238, 1974). Kjo do të thoshte se, llumi i llumit të shoqërisë, hajdutët, imoralët, vagabondët, karrieristët, spiunët etj. të urdhërojnë e të vijnë edhe njëherë tek shokët e tyre të “armëve”, pasi Partia u tregua “zemërgjerë”. Udhëheqja e Lartë dha porosi për organizimin e “Frontit Demokratik” haptas, antikatolik, ku, u aktivizuan edhe njëherë ata besnikë të Partisë në bazë, që deri atë ditë silleshin si lapera klubeve të ndërmarrjëve për një “kafe” qyl nga punëtorët, si: Ndoc Deda, Gjon Jaku, Loro Beltoja, Vat Deda, Fadil Ymeri, Zef Shoshi etj. drejtorë e brigadjerë me të cilët Partia maskonte veprimet e saj antikatolike.
Dosja 2291
Shqipëria çon specialistë të Sigurimit për torturat në Kinë
Sinjalet e asaj kohë që po vinte, ishin dhënë nga Kina komuniste. Lin Biao pasi zhyti në ujin e lumit Mao Ce Dunin plak dhe ia “freskoi” trunin, filloi zhdukjen e “kuadrove të Partisë” atje, por të vërtetën e shfarosjeve në Tibet e vende të tjera të humbura të Azisë është vështirë ta dijë njeri, mbasi studentët shqiptarë që ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje masive në vende të paditura, të shumë intelektualëve, profesorëve, inxhinierëve etj. Aso kohe kanë qenë dërguar nga Shqipëria shumë grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë përvojën e re të torturave nga specialistët kinezë. Këta grupe i drejtonte Nevzat Haznedari me shokë. Qendra e hetimeve tani u bë Tirana, ku, hetonin e torturonin kriminelë të zgjedhur si Koço Josifi, Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Qoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët me “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajip Panaritit etj. mund të përdornin torturat më çnjerëzore deri në vdekje të të burgosurve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”(Dosja 2291).
Pengesa e parë e këtij “Revolucioni” ashtu si dikur për edukimin marksist-leninist, reformën agrare e kolektivizimin e bujqësisë, punën “vullnetare”, aksionet në ditët e festave fetare etj., ishte tashmë “Kleri Katolik”, prandaj aty u drejtuan shigjetat. Kjo politikë e drejtua kundër Kishës si institucion. U ndaluan kumbonët e Kishave mbasi nuk mund t i dëgjonte një pjesë e mirë e qytetit! ... Nga fundi i vitit 1965 u morrën nga shteti Kisha e Murgeshave dhe ajo e Jezuitëve. Me rastin e marrjës së Kishës së Jezuitëve, eshtrat e Don Ndre Mjedës, gjoja si shkrimtar përparimtar, u dërguan në vorrezat e dëshmorëve tek spitali, pranë mikut e bashpunëtorit të tij, Luigj Gurakuqit.

“Emancipimi” i grave pa varr
Nuk duhet harrue me iu kujtue predikuesve të “emancipimit të grues” vitet e mnerëshme të rinisë, kur lidheshin ndër vargoj nga krimineli Ahmet Suji vajzat e reja të Shkodrës: Maria Tuçi, Angjelina
Marku, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Agime Pipa, Viktore Kuka, Frida Sadedini etj. atëherë, kur ndër prroje shkonte rrëkajë gjaku i Maria Shllakut e Maria Zojzit... Këneta, fusha, brigje, kodra, kanale e gjithkah vorre të humbuna me të interrnuem, pa shenjë tek kryet...

Dhunimi i varreve të Katedrales
Udhëheqësit e partisë, unazat e ipeshkve të vdekur, për gratë e tyre
Nuk ka shembull në historinë e gjyqeve komuniste, ashtu si në gjyqin që u zhvillua në Kishën e Murgeshave, ku prokurori Faik Minarolli, pyeti një të pandehur (A.R. Dosja 2291): “Ti a beson në Zotin?” dhe i pandehuri mbasi përgjigjet: “PO, BESOJ”, dënohet me 10 vjet burg. Pas vitit 1944, kur në Shqipëri nuk kishte ma opozitë, duhet thënë troç: Rolin e opozitës demokratike e ka luajtur Kleri Katolik Shqiptar, prandaj është luftuar pa mëshirë nga regjimi komunist. U dhunuan varret në Kathedrale, ku nëpunësit e Partisë provonin ndër gishta unazat e ipeshkve të vdekur, për gratë e tyre. Po kështu u veprua edhe në Kishën e Zojës tek Kalaja dhe atë Françeskane, ku, përveç françeskanëve të tjerë u dhunua varri i Poetit Kombëtar At Gjegj Fishta dhe, Ai i Atdhetarit të flaktë Dedë Gjo Luli, eshtrat e të cilëve u tretën. Varret e Kamanës dhe ata të Rëmajit, përfunduan në gërmadha.
Plaçkitja e kishave e xhamive
Shkatërrimi i Kishës së Zojës, i Kathedralës, i kambanoreve historike, plaçkitjet e tyre deri tek sahatet në çdo skaj të qytetit tregojnë pikësynimin e komunistëve në Shkodër: “Të bëjmë qytetin si fshatin!”.
Këtij qëllimi do t i shërbente edhe hedhja në erë me dinamit e Kishës monumentale të Vaut të Dejës, ku mendohej se është kurorëzuar Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ajo Kishë u shkatërrua nga
kandidati i Komitetit Qendror të P.P.Sh., Fadil Ymeri. Kjo u provua edhe në Xhaminë e Parrucës
ku, inventarizuesit (plaçkitësit) pajisën shtëpitë e tyre me qylimat dhe lampadarët e veprave të kultit. Edhe sot gjen në shtëpitë e këtyre spiunëve shandanë të marrë në Kishat e Shkodrës e qilimat e vjedhur
në Xhami.

Mbyllen pas kishave, edhe xhamitë
Pas mbylljes së Katedrales 100 e ca vjeçare të Shkodrës më 4 mars 1967, me shpejtësi u veprua për mbylljen e Kishave e Xhamijave. Kështu më 19 mars 1967 nuk kishte asnjë Kishë të hapur në Shkodër.
Mbyllet me to edhe Kisha e Zojës tek Kalaja “Rozafat”. Çelësat me të vërtetë i mori “Organizata e Frontit” por Komiteti i Partisë organizoi menjëherë komisionet e inventarizimeve (të plaçkitjeve) të objekteve të
kultit. “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Literaturës Fetare Kishtare” u emërua Jup Kastrati, për vlerat materiale ishte Nuri Çaushi.
Ky lajm është publikuar: 10/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›