E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi, grupi revolucionar që kërcënon Greqinë

Frika Sekti i Revolucionarëve ka paralajmëruar sulme kundër turistëve dhe institucioneve në vend

është piku i sezonit turistik në Greqi dhe vendi pret sa më shumë turistë nga e gjithë bota. E gjendur në betejën e ashpër për shkak të borxhit të madh financiar, situatës së rëndë ekonomike dhe masat e ashpra për të rifinancuar buxhetin, grekët po kërkojnë te turizmi një shtysë për ekonominë e tyre. Për këtë arsye, gjëja e fundit që duan grekët pikërisht tani është një grup terroristësh që kërcënon se do ta kthejë Greqinë në një zonë lufte. Por kur Sekti i Revolucionarëve paralajmëroi se turistët do të mësonin shumë shpejt se Greqia nuk është një parajsë e qetë e kapitalizmit, kishte si qëllim dëmtimin e vendit. Në një CD, brenda së cilës gjendej një njoftim i dërguar në gazetën e qendrës së majtë “Ta Nea” më 27 korrik, grupi premtoi “sabotime, demonstrime të dhunshme, bombardime”. Greqia është në mënyrë të frikshme shumë familjare me militantët ekstremistë dhe historia e saj moderne është frikësuar nga veprimet e dhunshme të grupeve si organizata revolucionare “17 Nëntori” dhe “Beteja e njerëzve revolucionarë”. Por kërcënimet e bëra nga Sekti i Revolucionarëve i njohur ndryshe si sekti rebel, përmbajnë një shkallë të re inati dhe keqdashje. “Kjo është hera e parë që një organizatë terroriste në Greqi thotë se ka planifikuar të kryejë sulme ndaj demokracisë së vendit, madje edhe ndaj terroristëve. Ky lloj ndryshimi në mentalitet është shumë shqetësues”, thotë Mary Bossis, një ekspert sigurie dhe profesor në Universitetin e Pireut. Në të njëjtin lajmërim për gazetën ky grup mori përsipër përgjegjësinë për vrasjen e gazetarit Socratis Giolias më 19 korrik, pasi kishte arritur të depërtonte brenda shumë skandaleve të pazbuluara. Njerëz të armatosur qëlluan Goliasin 37-vjeçar, 16 herë përpara shtëpisë së tij në një lagje periferike të Athinës, Ilioupolis. Si kreu i departamentit të informacionit në një radio private “Thema”, Giolias kishte kritikuar ashpër gueriljen e këtij grupi militant. “Vrasja e Goliasit ishte si një vrasje e stilit mafioz”, thotë Brady Kiesling, një ish-diplomat amerikan që jeton në Athinë dhe autori i një libri rreth dhunës politike në Greqi. “Ai po e sfidonte këtë lëvizje revolucionare në blogun e tij. Kjo bëri që ata të hakmerreshin, duke e vrarë në këtë mënyrë”. Në të vërtetë, dihet shumë pak rreth Sektit të Revolucionarëve, një grup relativisht i ri i krijuar vitin e fundit, pak javë pasi një oficer policie në Exarcheia goditi për vdekje 15-vjeçarin Alexandros Grigoropoulos. Oficerët pranuan se kishin gjuajtur për të frikësuar djaloshin dhe miqtë e tij që të mos gjuanin më me gurë dhe mjete të forta kundër policisë. Por dëshmitarët treguan se i riu kishte shkëmbyer vetëm fyerje verbale me policinë. Kjo vrasje e çoi Greqinë drejt trazirave, çka fuqizoi më shumë ekstremistët. Në shkurt të vitit 2009, protestuesit hodhën një granatë dore dhe gjuajtën me plumba kundër një poste policie jashtë Athinës. Askush nuk u dëmtua, por më vonë policia zbuloi një CD në varrin e Grigoropoulos, që përmbante një komunikatë, e cila e identifikonte grupin si Sekti i Revolucionarëve që pranuan autorësinë e sulmit ndaj policisë. “Qëllimi ynë ishte ekzekutimi. Herës tjetër fati nuk do të jetë në duart e tyre”, thuhej në komunikatë. Dy javë më vonë, një tjetër makinë shpërtheu në një stacion televiziv privat në Athinë, pa dëmtuar askënd. Në deklaratën e 27 korrikut, Sekti i Revolucionarëve, tha se Golias ishte gazetari i parë në listën e shumë të tjerëve që planifikonin të nxirrnin në dritë korrupsionin e grupeve të caktuara. Grupi pranoi gjithashtu se shënjestra e tyre do të ishte policia, punonjësit e administratës dhe gardianët e burgjeve. “Policia ka marrë shumë kërkesa për mbrojtje”, tha zëdhënësi Thanassis Kokkalakis, i cili shtoi më tej se janë duke hetuar ende rrënjët e grupit dhe nuk mund të bëjnë asnjë arrestim për momentin. Sipas specialistëve, Sekti i Revolucionarëve kërkon të dëmtojë të gjithë ata që janë kundër tyre. Pjesëtarët e grupit janë të gjithë djem të rinj me moshë 20-30 vjeç. Por rreziku i sulmeve të këtij grupi terrorist në këtë bum turistik nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të fundosë më tej Athinën e lodhur nga kriza e borxheve dhe masat për të dalë prej saj. Turizmi në vend përbën 60 për qind të GDP-së dhe 1 të pestën e vendeve të punës. “Një grup si Sekti i Revolucionarëve kërkon ta godasë vendin në një moment të dobët. Por ata e bëjnë atë çka thonë dhe ndaj janë të rrezikshëm”, thonë specialistët.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›