E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka për guroret, pyjet me pisha nën flakë

17/03/2011  Tre vatra zjarri në pak ditë, askush nuk shqetësohet. Po shfarosen pemë qindra vjeçare

URA-VAJGURORE- Hapja e tokave të reja për nxjerrjen e gurit në guroret e Urës Vajgurore ka bërë që së fundmi të përfshihen në flakë pyjet e mbjella me pisha. Shfrytëzimi pa kriter i territoreve për nxjerrjen e gurit ka bërë që më së fundi të nisë shfrytëzimi i kodrave të mbjella me pisha, çka ka bërë që papritur të shfaqen raste të rënies së zjarreve.

Zjarret

Vetëm gjatë ditëve të fundit mësohet se janë shfaqur tre rënie të zjarreve në kodrat me pisha në guroret e Urës Vajgurore, ndërkohë që Drejtoria e Pyjores në këtë qytet është mjaftuar vetëm me fikjen e zjarreve. Kështu, sipas burimeve nga lagja periferike e lagjes "Guri i Bardhë" në qytezën e Urës Vajgurore mësohet se ditët e fundit janë regjistruar disa raste të rënies së zjarreve në kodrat me pisha qindra vjeçare, të cilat ndodhen shumë pranë territoreve ku punohet për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit dhe çakullit. Kanë qenë në fakt banorët e lagjes ata, të cilët sapo kanë parë flakët e zjarrit kanë kërkuar ndihmën e zjarrfikëses. Më pas punonjësit zjarrfikës që së bashku me inspektorët e Ndërmarrjes së Pyjores kanë bërë të mundur fikjen e zjarreve që janë përhapur me shpejtësi. Por, sapo situata është vënë nën kontroll asnjë hetim nuk është ndërmarrë në lidhje me shkaqet e rënies së këtyre zjarreve të papritur, të cilët nuk favorizohen as nga kushtet atmosferike. E njëjta situatë paraqitet herë pas here në kodrat e mbjella me pisha në këtë zonë, ndërkohë që firmat e guroreve shtojnë territoret e tyre. Sipas banorëve janë punëtorët e firmave të nxjerrjes së gurit, ata të cilët për të pasur më shumë hapësira i vënë flakën kodrave duke shtuar sipërfaqet nën administrim dhe djegur pishat qindra vjeçare. Por, ndonëse dhe pse i hershëm ky problem nuk ka zgjuar ende vëmendjen e Drejtorisë së Pyjoreve në këtë qytet dhe Agjencisë rajonale të Mjedisit. Kështu, sipas burimeve pranë Ndërmarrjes së Pyjores në këtë qytet për rastet e rënies së zjarreve janë marrë masat e menjëhershme dhe situata është vënë nën kontroll, por në lidhje me shkaqet e rënies së këtyre zjarreve bëhet e ditur se duhet të jetë Prokuroria, e cila duhet të nisë hetimet rreth shkaqeve të rënieve të këtyre zjarreve. Ndërkohë që pranë Agjencisë së Mjedisit nuk jepen prononcime rreth këtij problemi. Në këto kushte të mungesës së hetimeve situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Janë me dhjetëra hektarë tokë me pisha në kodrat e Gurit të Bardhë, të cilat thuajse janë zhveshur krejtësisht nga pemët qindra vjeçare të pishave, ndërkohë që hapësirat e zhveshura shfrytëzohen për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit. Vendi ku ato ushtrojnë aktivitetin është shumë pranë kodrave me pisha të kësaj zone, të cilat shpesh bëhen preh e rasteve të rënies së zjarreve, ndërkohë që nuk ka një studim në lidhje me sipërfaqet e djegura dhe ato që janë nën administrimin e firmave. Kështu, përveç faktit të hershëm që guroret shkaktojnë ndotje të lartë në mjedis, pasi gjatë procesit të përpunimit të gurit nuk vënë në punë filtrat për pastrimin e ajrit tashmë shtohet dhe problemi i djegies së kodrave të mbjella me pisha, problem për të cilin duket se askush nuk po kujtohet të hetojë. Në këtë zonë prej vitesh veprojnë 22 firma të licencuara të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›