E Shtunë, 31 Tetor 2026

Test i shkurtër i filmit



Sot nisin ditët e TIFF 2009, edicioni i shtatë, ku do të projektohen rreth 100 filma të shkurtër në seksionin ndërkombëtar dhe 15-20 filma në seksionin e filmit të gjatë. Nga data 27 nëntor-6 dhjetor pëlhura e ekranit të madh do të instalohen në kinema “Imperial” dhe në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar. TIFF 2009, i nisur si festival ndërkombëtar me metrazh të shkurtër, ka zgjeruar hapësirat e prezantimit të filmave edhe një kategori të re të filmit me metrazh të gjatë dhe kategorinë DigiArt Film televiziv me metrazh të shkurtër. Sipas programuesve të festivalit, Thomas Logoreci dhe Genc Përmeti, “seksioni i filmit të shkurtër qëndron në të njëjtat pozita siç ka qenë më përpara, sepse e kishte të konsoliduar strukturën prej 6 edicionesh, ndërkohë filmi i gjatë ka testin e parë. Është një test që do të kalojë nëpërmjet analizës së bërë nga një juri ndërkombëtare prestigjioze. Po ashtu një juri tjetër do të jetë për filmin e shkurtër. Kemi edhe seksionin e filmit shqiptar, ku do të marrin pjesë filma të selektuar shqiptarë nga autorë të rinj”.

Filmat përshëndetës të festivalit janë përzgjedhur “Akademia Platonos” e regjisorit Filippos Tsitos's, dhe dy filma “La perla” dhe “The severage innocents” të pashfaqur më parë, të marra nga Arkivi Qendror i Filmit. Kurse, kinemaja kineze e viteve '70 prezantohet me filmat “Nga fitorja në fitore”, “Kalim në lumin Jance” etj.

“Qëllimi i këtyre filmave ka qenë indoktrinimi. Tani duke i parë me një tjetër këndvështrim, kinemaja e viteve '70 kthehet në një lloj argëtimi për publikun”, - pohon Përmeti. Nderim dhe homazh për kineastin Viktor Gjika, i cili u nda nga jeta në mars të këtij viti. Në një mbrëmje të veçantë do të shfaqen filmat “Debatik” (1961), “Rrugët e bardha” (1974), “Komisari i dritës” (1966), “Gjeneral Gramafoni” (1978), të subtitruar në anglisht. Në përzgjedhje të filmave me metrazh të gjatë organizatorët thonë se është përdorur kriteri artistik. “Është konceptuar si një seksion që i ka dyert e hapura për ata që kanë punuar dhe përpiqen t'i afrohen botës së kinemasë, duke pasur parasysh edhe prurjet studentore të Akademisë së Arteve dhe ajo private “Marubi”. Duke marrë në konsideratë puna e atyre që punojnë jashtë Shqipërisë, kinematografi në kushte të tjera, në situata të tjera dhe në atmosferë tjetër, por që mund të sjellin një prurje interesante për kinematografinë shqiptare. Filmat shqiptarë janë akoma duke u selektuar, ndërsa hapja e seksionit televiziv, është një lloj risie për sa i përket përafrimit të kinemasë me botën televizive”. TIFF organizohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Instituti Shqiptar i Artit dhe shoqëria filmike “Ska-Ndal”. Çmimet që do të ndahen janë: Filmi më i mirë me metrazh të gjatë; Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër; Filmi më i mirë televiziv; DigiAnimation; Filmi më i mirë shqiptar; Filmi më i mirë eksperimental; Dokumentari më i mirë; Çmimi i Publikut; Çmimi i Medias.

Re.Ku

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›