E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testamenti i filantropit restaurohetliceu pas 70 vjetesh

Qeveria shqiptare pas më se 70 vjetësh po bën realitet një nga pikat e testamentit të filantropit të madh Thoma Turtulli. Këtë ndërtesë Thomai filloi ta ndërtonte në vitin 1937 për Lice për arsimimin e rinisë korçare.

Po atë vit filantropi ndërroi jetë, por Liceu në ndërtim e sipër, ishte financuar deri edhe për pajisjet e nevojshme dhe përbënte një pikë të testamentit të tij. Një vit më pas gjithçka përfundoi dhe u përurua Liceu “Athina Turtulli” në shenjë dashurie dhe mirënjohjeje për bashkëshorten e Thomait.

Pas vendosjes se rregjimit komunist ish liceu u shtetëzua dhe ndërroi shume herë destinacion duke shërbyer për dekada të tëra si zyra të  Divizionit të Ushtrisë.

“Baba Thomai e bëri këtë dhuratë për qytetin e Korçës, për të studiuar rinia korçare. Falë zotit më në fund iu dha e drejta që të bëhet Lice dhe të paktën amaneti i tij u vu në vend”-thotë Athina Turtulli, mbesa e Thoma Turtullit.           

Regjimi komunist nuk u ndal për shuarjen e popullaritetit që kishte Thoma Turtulli duke arritur deri në zhdukjen e varrezës së familjes.          

“Familja jonë kishte një dhomë e bërë prej mermeri. Diçka përrallore që nëse do të kishte mbetur do të ishte si një monument kulture. U prish, iu mor i gjithë mermeri dhe varret e Thomait dhe Vangjos, dy vëllezërve nuk dihet se ku janë. Pengu më i madh, sidomos imi dhe i gjithë familjes Turtulli është që Thoma Turtulli nuk ka një varr ku t’i vihet një buqetë me lule dhe të nderohet”-thotë Turtulli.

Liceu i Thomait tashmë është pronë e universitetit të Korcës dhe është çelur edhe fondi nga qeveria për restaurimin e tij. Në shtator, pas më se 70 vjetësh këtu  do të ulen studentët. Po kjo ndërtesë është një nga shumë dhurimet e Thoma Turtullit për Korçën.

Përveç bamirësive për të varfërit e të sëmurët dhe dhënien e prikës për dhjetra vajza jetime, të varfra dhe me të meta fizike, në vitin 1930 Thomai dhuroi ndërtesën e Bibliotekës së qytetit, në 1934 ndërtesën e Spitalit të Korçës, katër vjet më vonë liceun dhe i mbeti në letër projekti i shtëpisë së pleqve për shkak të vdekjes së parakohshme.

Jorgjeta Gjançi                                                

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›