PD-ja kërkon konsensusin e opozitës për realizimin e reformave
Partia Demokratike vazhdon të kërkojë votat e opozitës për realizimin e dy reformave më të rëndësishme në vend, reformës zgjedhore dhe reformës në sistemin e drejtësisë. Në emër të Partisë Demokratike, deputeti i kësaj partie, Aldo Bumçi, bëri të ditur dje se këto dy reforma të rëndësishme nuk mund të bëhen pa kontributin e opozitës. Sipas Bumçit, konsensusi i opozitës duhet jo për shkak të votave, por për të fuqizuar sistemin demokratik në vend. “Reformat nuk mund të kryhen pa opozitën, sepse reforma zgjedhore dhe ajo në sistemin e drejtësisë janë dy reforma që përbëjnë themelin e demokracisë në vend. Ky është një bosht i rëndësishëm i demokracisë, që nuk mund të bëhet pa opozitën jo për numër votash, por për demokracinë”, - është shprehur Bumçi. Sipas tij, reforma në Drejtësi është mjaft e rëndësishme për vendin dhe është një reformë që i përket një pushteti të pavarur, që nuk ka lidhje me politikën, ndaj për këtë duhet të bashkëpunojnë të gjitha forcat politike. “Po kështu dhe reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme. Ne kemi miratuar me opozitën ligjin për Gjyqësorin, ndaj konsensusi duhet pasi bëhet reformë në Drejtësi, që është një pushtet apolitik. Drejtësia nuk është si arsimi dhe shëndetësia, për të cilat mund të vendosë e vetme një forcë politike, pasi bën pjesë në programin qeverisës, por drejtësia është një pushtet që nuk ka lidhje me qëndrimet as të së majtës, as të së djathtës, ndaj është i nevojshëm konsensusi”, - është shprehur Bumçi.
9 Gusht 2008