KOP-i i PD-së, trampolina ku 31 anëtarët përfituan poste në qeveri dhe hapën biznese
Eljona Ballhysa
Komiteti i Orientimit të Politikave, forumi i cili solli një risi në jetën e politikës shqiptare në vitin 2005, aktualisht, megjithëse i shpërbërë, duket se ka shërbyer si një trampolinë për zhvillimin e karrierës profesionale dhe politike për shumicën e anëtarëve të saj. Para zgjedhjeve të vitit 2005 Partia Demokratike shpalosi forumin më të ri, të quajtur Komiteti i Orientimit të Politikave. Ky forum mblodhi pranë vetes profesionistë të botës akademike, të shoqërisë civile, ekspertë të shquar të fushave të ndryshme, të shkolluar dhe të trajnuar në universitetet më të mira të botës dhe me përvojë të gjatë në institucione vendase dhe ndërkombëtare. Detyra e tyre kryesore ishte përgatitja e një strategjie gjithëpërfshirëse qeverisëse dhe përcaktimi i drejtimeve kryesore për zbatimin e suksesshëm të kësaj strategjie. KOP-i dha një ndihmesë të veçantë në hartimin e programit qeverisës të PD-së si dhe ndikoi pozitivisht në fitoren në zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Por, pas zgjedhjeve të 3 korrikut KOP-i ndaloi së funksionuari dhe aktualisht mund të quhet se është shpërbërë përfundimisht. Por anëtarët e këtij forumi aktualisht ndodhen në postet më të larta në qeveri, në institucione të larta shtetërore, por dhe të përfshirë suksesshëm në fushën e biznesit. Ky forum duket se u përdor më së miri për zhvillimin e karrierës profesionale të secilit prej anëtarëve.
Anëtarët
Aktualisht disa prej anëtarëve më të spikatur të KOP-it mbajnë poste ministrore në qeveri. Ish-kryetari i KOP-it, Lulzim Basha, ndodhet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, i cili më parë drejtoi Ministrinë e Transporteve. Majlinda Bregu mban postin e ministres së Integrimit dhe atë të zëdhënëses së qeverisë, ndërkohë që është deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Aldo Bumçi, pas gati një viti në postin e ministrit të Drejtësisë, aktualisht është deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Eris Hoxha gjithashtu është zgjedhur deputet në zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën në qytetin e Pogradecit. Ylli Pango, përveç karriges së deputetit në Parlament, mban dhe postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Një pjesë e mirë e anëtarëve të KOP-it u emëruan në poste zëvendësministrash. Kështu, Albert Gajo, aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Integrimit, Taulant Bino mban postin e zëvendësministrit të Mjedisit, Ndoc Fasllia mban postin e zëvendësministrit të Bujqësisë, Florjon Mima mban postin e zëvendësministrit të Financave.
Disa anëtarë të KOP-it u bënë pas 3 korrikut anëtarë të kabinetit të kryeministrit Berisha, si Myqerem Tafaj, i cili mori postin e sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa aktualisht është këshilltar për Arsimin. Në kabinetin e kryeministrit ndodhen gjithashtu Albana Vokshi, këshilltare për ekonominë, Elida Reci këshilltare për ekonominë, Ylli Asallani për pushtetin lokal, Ylli Panariti për teknologjinë, si dhe Selami Xhepa, këshilltar për ekonominë. Por ka dhe anëtarë të KOP-it, të cilët, pasi provuan postet qeveritare tashmë i janë futur rrugës së biznesit. Kështu, Ermal Hasimja, pas 3 korrikut mbajti postin e zëdhënësit të kryeministrit dhe drejtorit të Informacionit në qeveri, aktualisht është një ndër drejtuesit kryesorë të Universitetit Europian të Tiranës. Po kështu dhe Besnik Aliaj nga këshilltar për decentralizimin, tashmë mban postin e rektorit në universitetin “Polis”. Disa anëtarë të tjerë e shfrytëzuan KOP-in për të marrë poste të larta në institucione të tjera shtetërore. Kështu, Përparim Dervishi aktualisht mban postin drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Aleksandër Sallabanda aktualisht është ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Kujtim Harshova, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Politikave të Ndërtimit në Ministrinë e Transporteve si dhe Tatjana Kongoli, e cila është shefe e Kabinetit të Ministres së Integrimit.
Anëtarët
Hervin Çuli - Anëtar i KOP-it. Pas 3 korrikut iu premtua post në Teatrin Kombëtar, por aktualisht merret me projekte kulturore private.
Teuta Baleta - Anëtare e KOP-it, aktualisht punon në Bankën e Shqipërisë, shefe e Drejtorisë së Inspektimit.
Armand Bora – Anëtar e KOP-it. Pas 3 korrikut u emërua drejtor i Teatrit Kombëtar, aktualisht regjisor.
Agron Tufa – Anëtar i KOP-it, aktualisht pedagog në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Përparim Dervishi – Anëtar i KOP-it, aktualisht drejtor i Doganave.
Fatbardh Kadilli – Anëtar i KOP-it, aktualisht këshilltar i kryeministrit për Antikorrupsionin.
Albert Gajo – Anëtar i KOP-it, aktualisht zëvendësministër i Integrimit.
Aleksandër Sallabanda – Anëtar i KOP-it, aktualisht ambasadori i Shqipërisë në SHBA.
Maksim Cikuli – Anëtar i KOP-it, ish-ministër i Shëndetësisë, aktualisht këshilltar i presidentit për Shëndetësinë, Arsimin dhe Shkencën.
Lulzim Basha – Kryetar i KOP-it, ish-ministër i Transporteve, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme.
Lindita Lati – Anëtare e KOP-it, kryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës që nga muaji korrik i vitit 2006.
Apollon Baçe – Anëtar i KOP-it, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, aktualisht punon në Akademinë e Shkencave.
Ndoc Faslia – Anëtar i KOP-it, aktualisht zëvendësministër i Bujqësisë.
Tatjana Kongoli – Anëtare e KOP-it, aktualisht drejtore kabineti në Ministrinë e Integrimit.
Ardian Nuni – Anëtar i KOP-it, aktualisht anëtar i Gjykatës së Lartë.
Aldo Bumçi – Anëtar i KOP-it, ish-ministër i Drejtësisë, aktualisht deputet.
Genc Juka – Anëtar i KOP-it, aktualisht deputet.
Kujtim Harshova – Anëtar i KOP-it, aktualisht drejtor i Politikave të Ndërtimit në Ministrinë e Transporteve.
Majlinda Bregu – Anëtare e KOP-it, aktualisht ministre e Integrimit, zëdhënëse e qeverisë, deputete.
Ylli Panariti – Anëtar i KOP-it, aktualisht këshilltar i kryeministrit për teknologjinë.
Ylli Pango – Anëtar i KOP-it, aktualisht ministër i Kulturës, deputet.
Eris Hoxha – Anëtar i KOP-it, aktualisht deputet.
Elida Reci – Anëtare e KOP-it, aktualisht këshilltare për ekonominë në Kryeministri.
Albana Vokshi – Anëtare e KOP-it, aktualisht këshilltare për ekonominë në Kryeministri.
Florjon Mima – Anëtar i KOP-it, aktualisht zëvendësministër i Financave.
Ermal Hasimja – Anëtar i KOP-it, ish-zëdhënës i kryeministrit, aktualisht drejtues në Universitetin Europian të Tiranës.
Ylli Asllani – Anëtar i KOP-it, aktualisht këshilltar i Berishës për pushtetin lokal.
Taulant Bino – Anëtar i KOP-it, aktualisht zëvendësministër i Mjedisit.
Selami Xhepa – Anëtar i KOP-it, aktualisht këshilltar për ekonominë në kryeministri.
Myqerem Tafaj – Anëtar i KIOP-it, ish-sekretar i Përgjithshëm i kabinetit të kryeministrit, aktualisht këshilltar për arsimin në Kryeministri.
Besnik Aliaj – Anëtar i KOP-it, ish-këshilltar i kryeministrit për decentralizimin, aktualisht rektor i universitetit “Polis”.
9 Gusht 2008