E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi i HIV ne 5 muaj zbulohen 25 raste te reja

 Prej me shumë se një vit e gjysmë në kryeqytet është ngritur një shërbim për testimin e shpejtë të virusit HIV. Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Liljana Ramasaco sqaron për Albanian Screen, se për këtë vit janë testuar në Tiranë mbi 100 persona dhe vetëm dy prej tyre kanë rezultuar të infektuar nga ky virus. Testimi për personat, që shkojnë në mënyrë individuale është falas.
“Gjatë këtij katër mujori janë kryer afërsisht 100 testime pranë kësj qendre. Këto individë kanë qenë kryesisht persona vullnetarë që kanë kryer testimin vullnetar dhe pjesa tjetër kanë qenë të rekomanduar nga mjeku i familjes pranë qendrave shëndetësore. Nga të gjitha këto testime kanë rezultuar dy raste me HIV pozitiv dhe këto persona janë rekomanduar pranë ISHP për asistencë të mëtejshme” thotë Ramasaco.

Ky laborator ndodhet pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në kryeqytet dhe sipas psikologes të këtij institucioni, Anila Trifoni, për çdo person para dhe pas testimit ofrohet shërbimi i këshillimit.
“Testimi në laboratorin tonë është testim me kite të shpejta dhe përgjigjia jepet brenda ditës ose ditën e nesërme në varësi të orarit të punonjësit të testimit. Të gjithë individët para se të bëjnë testimin kalojnë në një seancë këshillimi ku njihen me problematikën, me mënyrën si infektohet, si parandalohet HIV/AIDS. Pas testimit, kalohet përsëri në një seancë këshillimi. Në raste se individët kanë seanca të ngarkuara emocionale mund të kryhet edhe ndonjë testim tjetër, gjithmonë sipas dëshirës dhe duke u pyetur vetë individi” thotë Trifoni.

Nga janari i këtij vit sipas ISHP janë zbuluar në rang vendi 25 raste të reja me HIV. Mes të prekurve, 8 janë persona nga rradhët e gjinisë femërëore. Ndërsa pritet për tu konfirmuar një fëmijë 17 muajsh, i cili mendohet që ta ketë marrë virusin nga nëna. 

Julja Bardhushi
Azhornuar së fundi ( e hënë , 30 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›