E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testohet kostumi për hedhje nga stratosfera

Projekti Red Bull Statos për here të parë (30 mars 2010) zbuloi veshjen e prodhuar nga kompania David Clark, të cilën do të mbajë Felix Baumgartner në hedhjen e tij nga stratosfera.

Skuadra shkencore e Red Bull Stratos ka zbuluar gjithashtu edhe helmetën, e cila së bashku me veshjen do të shërbejnë si mjetet e vetme mbrojtëse për jetën e Felix Baumgartner, i cili do të hidhet nga stratosfera nga një lartësi prej 36,576 metrash.

Këto pajisje janë prodhuar nga kompania David Clark, e cila është pioniere e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse të ajrit që prej vitit 1941, duke përfshirë kostumin e kolonelit të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Ret.), Joe Kittinger, në hedhjen e tij historike Excelsior III në 1960.

Austriaku 40-vjeçar do të thyejë shumë rekorde botërore, që kanë qëndruar të pacenuara për më shumë se gjysmë shekulli, kur të ndërmarrë projektin e fluturimit në stratosferë në një lartësi më shumë se 120,000 këmbë (ose 36,576 metra) brenda një kapsule që do të ngrihet nga një balon me helium.

Joe Kittinger, i cili me kërcimin e tij me parashutë nga 102,800 këmbë (31,333 metra) mbi nivelin e detit hapi derën për eksplorimin e hapësirës në kuadrin e projektit të tij Excelsior që u zhvillua në datën 16 Gusht 1960, do të jetë pjesë e ekipit të misionit Red Bull Stratos.

Përpjekja e Kittingerit, që ka lënë gjurmë në historinë e aviacionit dhe që Baumgartner po përpiqet të tejkalojë, provoi që kostumet me presion të lartë mund të mbronin njerëzit në ambientin e ashpër të stratosferës dhe ishte një nga eksperimentet që ndikoi misionin drejt hënës në vitin 1969.

Data e saktë e misionit Red Bull Stratos, që do të ketë pikënisje në Amerikën e Veriut, do të vendoset menjëherë pas përfundimit të testimit të pajisjeve dhe pas matjes së faktorëve atmosferikë – kushte këto të domosdoshme për të mundësuar suksesin e kërcimit final të këtij misioni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›