E Diel, 1 Nëntor 2026

Analizat, qumështi kinez pa melaminë

Shqipërisë i ka kushtuar shtrenjtë analiza e pranisë së melaminës në kampionin e qumështit të kondensuar "Panda" që u dërgua në Institutin Shëndetësor të Romës, në Itali. Kryerja e analizave të tilla në laboratorë të akredituar nga Bashkimi Evropian ka një kosto të lartë, të cilën në rast të një rezultati negativ, duhet ta paguajë shteti shqiptar, kuptohet në kurriz të taksapaguesve.

Dje pasdite autoritetet e Ministrisë së Bujqësisë konfirmuan lajmin se përgjigjja e analizave është negative. Pra, qumështi kinez "Panda" 170g i importuar në Shqipëri, nuk ka përmbajtje melanine. Ndërkohë, kjo kosto analizash do të shkojë për llogari të kompanisë shqiptare importuese, "InterBrand", e cila është e vetmja që importon në vendin tonë qumësht të kondensuar nga Kina. Në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria është e detyruar që në rast dyshimi dhe për ngjarje që i kalojnë ato kombëtare, siç është rasti i qumështit kinez dhe pranisë së melaminës në të, të dërgojë për analiza kampionë të ushqimit të dyshuar në një vend të BE-së. Dhe analizat duhet të realizohen në një prej laboratorëve të akredituar për kryerjen e ekzaminimeve të tilla specifike. Durrësi, ndonëse ka një nga laboratorët më të mirë në vend për ushqimet, nuk e realizon këtë lloj analize, e cila nuk bëhet në Shqipëri. Prandaj u pritën rezultatet zyrtare nga Italia, që përcaktuan mungesën e pranisë së këtij përbërësi të rrezikshëm për shëndetin në qumështin "Panda". Ndërkaq, edhe gjatë ditës së djeshme inspektorët e Drejtorisë së Ushqimit dhe Bujqësisë në Durrës dolën në terren për të kërkuar bllokimin e përkohshëm të qumështit "Panda" nga zotëruesit e tij në magazina. Drejtori i DBU-së në Durrës, Jonuz Tafili, tha për gazetën se të gjithë importuesve u ishtë bërë i njohur urdhri i ministrit Gjana dhe se po kontrollohen të gjitha magazinat. Sipas tij, deri në mesditën e djeshme firmat e kishin tërhequr mallin deri në mbërritjen e analizave, po nga një verifikim në supermarketet e qytetit dhe në pika të tjera të shitjes qumështi "Panda", 40 tonë të të cilit janë akoma të bllokuara në Portin e Durrësit, ka vazhduar të tregtohet normalisht. Sipas autoriteteve zyrtare, zhurma e bërë deri tani në vend dhe që ka përhapur jo pak panik mes konsumatorëve shqiptarë nuk ishte fort e bazuar. Nëpërmjet Portit detar të Durrësit, që mban peshën kryesore të import-eksporteve në vend, asnjëherë përgjatë këtij viti nuk janë importuar produkte qumështi me origjinë kineze dhe as qumësht pluhur nga ky vend. I vetmi produkt qumështi nga Kina është qumështi i kondensuar "Panda", po sipas specialistëve ky qumësht teorikisht dhe teknologjikisht nuk mund të ketë në përbërjen e tij melaminën, e cila rrit sasinë e proteinave në produkt. Kjo për vetë faktin se ky lloj qumështi nuk përmban as ujë natyral në prani të të cilit melamina bëhet aktive.

Melamina është një substancë kimike me bazë organike, që shfaqet në formën e kristaleve të bardha, të pasuruara me nitrogjen në masën 66%. Ajo përdoret gjerësisht në industrinë e plastikës, enëve të gatimit, tabelave të bardha etj. Shtimi i melaminës në produktet ushqimore nuk është i pranuar nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara e Ushqimit dhe Bujqësisë). Sinjalet e para në Kinë për praninë e saj, kryesisht në ushqimet për qentë dhe macet, u dhanë në mars të vitit 2007, por reagimi i qeverisë kineze qe i ngadaltë, deri në dhënien e pasojave në shëndetin e foshnjave dhe fëmijëve që konsumonin qumësht pluhur dhe produkte të tjera të realizuara prej tij. Në kushtet e globalizimit të shoqërisë, sundimi i tregjeve nga produkte që vijnë anë e mbanë globit ka shtrirë panikun në shumë prej vendeve që kanë një marrëdhënie importi me kompanitë e qumështit në Kinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›