E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë deputetë të PS: Minierat në duart e mafies

Sipas letrës, edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe Shoqërisë Koncesionare ACR duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, “fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”.

Sipas deputetëve socialistë, të nënshkruar nga nismëtari Saimir Tahiri, “pasuria kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të pasurisë kombëtare”.

“Ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot. Galeritë e minierave janë shndërruar në kampet e përqendrimit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarë e biznesmenë të babëzitur nxjerrin miliona euro përfitime me çmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave”, thuhet në njoftimin e Partisë Socialiste.

Kërkesën e tyre, deputetët socialistë e mbështesin në nenin 8 të ligjit “Për Statusin e Deputetit”, në të cilin parashikohet se “Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, të ministrave ose drejtuesve të institucioneve të tjera qendrore, si dhe të çdo institucioni tjetër në administratën shtetërore e të qeverisjes vendore. Drejtuesit ose stafet e tyre janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës”.

Për të gjitha këto, deputetët socialistë i kanë dërguar një letër me 23 pyetje ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, ku kërkojnë shpjegime mbi shfrytëzimin e minierave. 

1.      Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2.      Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
3.      Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
4.      Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?
5.      Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6.      Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?
7.      Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?
8.      Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?
9.      Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10.  A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?
11.  METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
12.  Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13.  Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14.  Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15.  Sa është numri total i subjekteve të licencuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16.  Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë licencë?
17.  Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tregu i mineraleve që eksportohet?
18.  Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19.  Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilësohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20.  Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21.  Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22.  Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23.  Miniera e Kromit Bulqizë a është shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjësve në këtë miniere duke punuar me pajisje qe nuk plotësojnë kushtet e antideflagrances?

“Përveç përgjigjeve për këto pyetje, kërkojmë të na vini në dispozicion gjithashtu edhe të gjithë dokumentacionin përkatës që disponon METE dhe agjencitë shtetërore të varësisë pranë METE. Gjithashtu, kërkojmë të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi ndërmjet kompanisë koncesionare “Dedeman” dhe METE, në mënyrë specifike shkresat me nr. Prot. 1742/3, dt. 20.04.2011 dhe 25.04.2011. Po kështu duam te na vihen ne dispozicion urdhrat Tuaja si Ministër nëpërmjet të cilave keni urdhëruar ndalimin e punës në Minierën e kromit Bulqizë dhe më pas fillimin e punës në këtë miniere”, thuhet më tej. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-19 15:47
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›