E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Kuvendi i hap dritën jeshile me 71 vota

TIRANË- Projektligji i përgatitur nga Këshilli i Ministrave për disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave” është futur në procedura parlamentare, për tu miratuar në seancën e javës së ardhshme. Kuvendi vendosi dje me 71 vota pro dhe asnjë kundër, shqyrtimin e këtij drafti me procedurë të përshpejtuar. Pas përfundimit të seancës parlamentare, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, nismëtar për të kaluar projektligjin me procedurë të përshpejtuar në parlament, shpjegoi se nuk bëhet fjalë për projektligjin për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, por për një draft i cili parashikon regjistrimin e të dhënave për efekte statistikore, që do të kryhen nga Instituti i Statistikave. Sipas Pollos, "këto të dhëna nuk përfshihen, as në listën e zgjedhësve dhe as në zyrën e Gjendjes Civile, por do të krijohet një database me të dhënat e qytetarëve e banesave, për efekte statistikore". Në draftin e ri, të përgatitur nga qeveria, mosdhënia e informacionit në formë të plotë dhe/ose të saktë e të besueshëm, do të dënohet me 100 mijë lekë të reja. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me ata që nuk do të respektojnë rregullat e konfidencialitetit. Masa e dënimit, nga 15 mijë lekë do të variojë deri në 50 mijë lekë. Ndërkohë deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, ripohoi qëndrimin e kahershëm të PDIU-së, për të mos e votuar një ligj për regjistrimin, ku kombësia dhe feja do të përcaktohen me vetëdeklarim. Ai tha se kjo do të ishte antishqiptarizma më e madhe që do të bëjë ky parlament. “Ne do të votojmë ligjin për regjistrimin e popullsisë, por vetëm me një kusht, që nuk do të ketë në formular pyetje me vetëdeklarim të pabazuar në fakte dhe në prova për kombësinë dhe fenë. Nëse një ligj që përmban pyetje të tilla do të votohet, do të jetë antishqiptarizma më e madhe që do të bëj ky parlament”, - tha deputeti Tahiri. Në anën tjetër, Aleanca Kuq e Zi protestoi dje para fillimit të seancës parlamentare. Aleanca Kuq e Zi prezantoi dje dhe nismën e dytë, nën moton "Një komb, një pasaportë", ku i kërkohet Parlamentit ndryshimi i menjëhershëm i Kushtetutës, në dispozitat për dhënien e shtetësisë shqiptare dhe dhënien e pasaportave shqiptare çdo qytetari me origjinë dhe kombësi shqiptare, kudo që jeton si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi Greqi, Serbi apo diasporë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›