E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti Kadillari ripikturojnë muret e Galerisë

 

TIRANE- Ekzekutimi i ekspozitës nën titull “Ripikturime” sjellë prapa në kohë memorien artistike të piktorëve Agim dhe Xheneta Kadillari, të cilët aktualisht ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve duke punuar mbi veprat në stilin e peisazheve dhe në grafik. Ekspozita e çelur pak ditë më parë në një nga sallat e kësaj galerie është cilësuar si një ngjarje e pazakontë, e cila së bashku me çiftin Kadillari dhe artistët Ksenofon Dilo, Skënder Kamberi, Sali Shijaku, Heldi Pema, Anastas Kostandini (Taso), i fton këta artistët të ekzekutojnë në “ekspozitën mbi shtresëzime”, duke përdorur muret e zhveshura të galerisë si studio arti. Piktori Agim Kadillari shprehet se “veprat të cilat ndodhen të pikturuara mbi muret e pavionit të realizmit socialist, janë mendime artistike të mbetura nën pluhurin e harresës të cilat tashmë po i risjellim me një interpretim të lirë dhe sigurisht me një forcë më të madhe”. Punimet e artistëve janë shumë të ndryshme nga njëra tjetra pasi Agimi po pikturon peisazhin e Alpeve Shqiptare pikërisht nën titull “Kujtime nga Bjeshkët e Namuna” në përmasa 5x4.5, ndërsa Xheneta bashkëshortja e tij po realizon në grafikën me temë “Klasa punëtore” me përmasa 2x3. Pikturat të cilat po ripunohen pas 20 vitesh tashmë janë të rikonceptuara me një sy më të lirë, me një penel më të shpenguar gjë që nuk ndodhte më parë kur ndjenjat artistike ishin të drejtuara. Grafistja Xheneta Kadillari theksoi se, “më parë çdo gjë ka qënë tendencioze dhe e politizuar”, duke shtuar se, “ekzistonte frika të mos kalonim “kufijtë” gjatë realizimit të një vepre”. Sipas përjetimeve të piktorëve kufizimet e këtij sistemi janë qënë bërë qoftë në sensin tematik dhe në mënyrën e trajtimit të vetë pikturave, deri sa kapën kulmin duke sygjeruar se si duhet bërë një vepër arti. Agimi kujton dhe sot kur ka çelur ekspozitën e tij të parë në ambientet e Pallatit të Kulturës, me absurditetin më të madh kur individë të ndryshëm e kanë udhëzuar që veprat e tyre të mos shiten nëqoftëse ua kërkojnë një gjë të tillë. “Në të vërtetë ashtu ndodhi persona nga ambasadat e huaja erdhën dhe ne u detyruam të gënjejmë që pikturat nuk mund të shiten se janë tashmë pronë të Galerisë”, tha ai. 54-vjeçari pohoi se, “arti është liri, i cili nuk mund të jetë i drejtuar nga askush përveçse nga vet artisti”.
Pikturat murale i sjellin ndërmënd artistëve me nostalgji momentet e kaluara, të cilat ato sot tentojnë ti risjellin, më të shpenguar dhe duke kërkuar vlerat e gjalla artistike në pikturim.
Duke numëruar më shumë se 30 vjet profesionalizëm Agimi dhe Xhenetja kanë marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare që ka organizuar Galeria e Arteve në Tiranë dhe në shumë ekspozita lokale. Pas rrëzimit të diktaturës të dy së bashku kanë çelur ekspozitën e tyre të parë jashtë vendit, pikërisht në Asen të Hollandës (1996), aty ku ndodhen të ekspozuara ende sot pikturat e tyre lirike. Punimet e tyre kanë janë ekspozuar në disa vende të Europës si Gjermani, Francë, Greqi, etj. Vlen për t’u përmendur se në ekspozitën kombëtare të Akademisë Europiane të Artit të zhvilluar në Belgjikë piktori Agim Kadillari është vlerësuar me medalje ari, ndërsa Xhenetja bashkëshortja e tij me medalje argjendi. Ata për gati 5 vjet jetojnë në Tiranë ku kanë hapur dhe një studio arti. Nesër piktorët do të ekspozojnë punimet e tyre të përfunduara në muret e zbrazëta të Galerisë së Arteve. Mure të cilat pas përfundimit të ekzekutimit artistik do të lyhen, duke shënuar kështu fillimin e ekspozimit të koleksionit të ri të pikturave të përhershme në këtë pavion.
Agimi dhe Xhenete Kadillari të ndodhur para këtij fakti treguan se janë afeksionuar tepër me pikturat dhe se ata kanë memorizuar me fotografi të gjithë momentet e realizimit të punimeve artistike, piktura të cilat për ironi të fatit 20 vjet më parë quheshin të ndaluara.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›