“Tetori gjerman” vazhdon javët kulturore në Shqipëri
Petrika GROSI
Në kuadrin e javëve të kulturës gjermane, të organizuara nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, vazhdojnë në Tiranë, por edhe në rrethe aktivitete të ndryshme kulturore e artistike. “Tetori gjerman” ka nisur kremtimin që më 27 shtator dhe do të vijojë me aktivitete të ndryshme deri më 21 nëntor.
Deri tani janë çelur disa ekspozita, janë dhënë shfaqje teatrale si dhe janë mbajtur disa seminare e konferenca. Gjithashtu nuk kanë munguar projeksionet e filmave në kryeqytet por edhe në rrethe si Pogradeci, Durrësi dhe Shkodra. Sa u takon ekspozitave, një e tillë do të çelet më 14 tetor në Bibliotekën Kombëtare me titullin “Shqipëria - Reportazhe udhëtimesh dhe libra
specialiteti në gjuhën gjermane”. Reportazhet dhe
librat e specialitetit që do të prezantohen në këtë ekspozitë
janë mbledhur nga fondi i librave të Bibliotekës Kombëtare në
Tiranë si dhe nga koleksione private. Ekspozita paraqet shumë anë të imazhit të Shqipërisë dhe kureshtjen e madhe joshëse që ky vend i vogël ka ngjallur gjithmonë te vizitorët dhe studiuesit e huaj. Shqipëria ka qenë shpesh, që prej kohës së Skënderbeut, objekt përshkrimesh letrare. Gjatë shekujve këndvështrimi i
autorëve ndryshoi. Nëse në fillim iu kushtua vëmendje adhurimit të atributeve të luftëtarit shqiptar kundër osmanëve, më vonë
Shqipëria shihej si një njollë e zezë dhe e panjohur e Europës, si simbol i së huajës dhe egërsisë. Ndërkaq, një tjetër aktivitet i “Tetorit gjerman” është “Modelimi artistik i godinës në qendër të qytetit”. Në vazhdën e javëve te kulturës gjermane pesë artistë shqiptarë, dy gjermanë dhe dy francezë të fushave të ndryshme po punojnë në metropol në një projekt të përbashkët për te modeluar artistikisht një godinë në qendër te qytetit. Në fund të e këtij projekti, që mbyllet më 22 tetor, rezultatet e punës së përbashkët do t`i prezantohen publikut të gjerë. Krahas kësaj puna e grupit do të dokumentohet në mënyrë filmike dhe do të paraqitet në një katalog rreth projektit. Nga pala shqiptare në projekt marrin pjesë artistët Najada Hamza, Ardian Isufi, Genc Mulliqi, Vladimir Myrtezai dhe Ali Oseku. Nga pala gjermane marrin pjesë dy artistët Ulrike Feser dhe Erik Göngrich. Nga pala franceze marrin pjesë Noëlle Pujol dhe Arnaud Rolland.
8 Tetor 2008