E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta Dobi: Rezultatet certifikojnë fuqinë e UET

Si e gjykoni procesin e rankimit¬?

Rankimi i universiteve që u zhvillua në Shqipëri gjatë këtij viti akademik, rezultatet e të cilit u shpallën zyrtarisht dje, është një qasje e strukturuar me metodologji dhe procedura transparente, që vlerëson në shumë dimensione nivelin e performacës së institucioneve të arsimit të lartë të përfshira në të, në fusha të caktuara të aktivitetit të tyre akademik. Rankimi u ndërmor nga qeveria e Shqipërisë si një aksion që do t’i siguronte publikut të interesuar shqiptar informacion mbi cilësinë e edukimit të ofruar nga universitetet, gjë të cilën e vlerësoj fort, veçanërisht në kushtet aktuale kur oferta shqiptare për edukimin e lartë është mjaft e madhe, dhe secili person i interesuar duhet të këtë një referim të sigurt për vendimmarrjen e tij. Është në detyrat parësore të shtetit t’i ofrojë një mbështetjë të tillë publikut shqiptar. Në themel të rankimit qëndrojnë standardet dhe procedurat e shoqërisë së specializuar gjermane CHE (Centre for Higher Education Development) që ishte thirrur për të zhvilluar këtë proces. Këto procedura janë përshtatur me sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri, si dhe janë modifikuar për të reflektuar tiparet e përbashkëta që shfaqin institucionet shqiptare të arsimit të lartë të përfshira në proces. Në gjykimin tim, bazuar në mënyrën se si u prezantua procesi i rankimit, si u zhvillua marrëdhënia institucionale gjatë zhvillimit të tij dhe se si u procesua më tej deri në nxjerrjen e rezultateve, përfshirë kohën e nxjerrjes së rezultateve, ky ishte një proces i suksesshëm dhe me vlerë. Njëkohësisht ai ka shërbyer si test për funksionimin e vlerësimeve të pavaruara dhe objektive për një shërbim publik, siç është arsimi i lartë, i ofruar nga operatorë publikë e privatë. Tashmë, me nxjerrjen e rezultateve u takon institucioneve të përfshira në proces të informojnë drejt publikun shqiptar mbi përmbajtjen e tij dhe mënyrën se si duhet të përdoren rezultatet e tij.

Si shfaqet UET në rezultatet e rankimit?

Metoda e paraqitjes së rezultateve shfaq renditjen në grupime sipas cilësisë së performancës akademike dhe të kërkimit shkencor sipas fushave përkatëse të studimit. Universiteti Europian i Tiranës shfaqet në grupimin e më të mirëve në të tre fushat ku ofron programe studimi, përkatësisht më i miri në fushën juridike dhe ndër më të mirët në fushën e shkencave sociale dhe atë të shkencave ekonomike. Rezultatet certifikojnë atë që tashmë është e njohur në rang vendi, por edhe jashtë tij. Reputacioni i lartë i UET-it në fushën e edukimit, atë të kërkimit shkencor, si dhe nivelin e lartë të pedagogëve dhe cilësitë e tjera të aktivitetit të tij akademik. Në vlerësimin tonë është një paraqitje reale e atyre çka përbëjnë fuqitë e UET-it. Për UET-in, rezultatet e rankimit janë një certifikim profesional i arritjeve 5-vjeçare dhe duhen vlerësuar në kuadrin e ekzistencës së tyre në kohë dhe numrit të studentëve që u ofrohen në kombinim të vlerësimit të tre drejtimeve të studimit, dhe në kuadrin e sa më lart gjykoj që UET pozicionohet si më i miri në tregun shqiptar.

A duhet të vijojë procesi i rankimit dhe cila duhet të jetë e ardhmja e tij?

Siç e përmenda edhe më lart, ky ishte rankimi paraprirës i procesit të rankimit gjithëpërfshirës që duhet të vijojë në të ardhmen, duke certifikuar kësisoj shërbimin akademik që i ofrohet publikut shqiptar nga secili prej aktorëve që përfshihen në të, duke vlerësuar mënyrën se si i zhvillua dhe formatin e paraqitjes së rezultateve të tij në kontekstin shqiptar, do të sygjeroja që proceset e ardhshme të rankimit të përcaktojnë në mënyrë më të qartë dhe më të lexueshme nga publiku në çfarë pozicioni renditen secili nga institucionet e arsimit të lartë në krahasim me të ngjashmit e tij në tregun shqiptar. Kjo punë e shkëlqyer në vlerësimin e cilësisë së produktit akademik dhe të kërkimit shkencor për çdo institucion të arsimit të lartë, të mund të shprehet me pozicionim të dukshëm të qartë dhe të pamohueshëm të atij institucioni në tabelat e rezultateve. Kjo do të bënte të mundur leximin e drejtë dhe të saktë të rezultatit të ranikimit edhe nga publiku i gjerë i cili jo domosdoshmërisht ka nivelin e përgatijes për të kuptuar një shfaqje të komplikuar rezultatesh. Ndërkohë është ky publik më i interesuari për të shfrytëzuar në favor të tij rezultatet e rankimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›