E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara, UET në krye të listës së më të mirëve

Projekti pilot i rankimit të universiteteve, një proces që kryhet për herë të parë në vendin tonë, në pamje të parë ka qenë më së shumti një garë midis publikut dhe privatit, sesa evidentimi i të dhënave për institucionet e arsimit të lartë. Por, në fakt, të dhënat e këtij procesi kanë rrëzuar një tabu që ka ekzistuar prej kohësh në mentalitetin shqiptar, se universitetet publike janë më cilësore se ato private. Kështu, bazuar në listën zyrtare të rankimit për katër fushat e përcaktuara të studimit, evidentohet se në krye të saj qëndrojnë afër publiku dhe privati dhe se diferenca nuk bëhet në klasifikimin numerik i pari apo i dyti, por se cili universitet ka më shumë drita jeshile (pika të forta) dhe më pak drita të kuqe (pika të dobëta). Janë pikërisht këta treguesit kryesorë që nxjerrin në pah cilësinë e një universiteti në një program të caktuar studimi karshi të tjerëve. Kështu, për programin e studimit Drejtësi, që ka më shumë kërkesa për Universitetin e Tiranës, midis 14 fakulteteve që janë rankuar, Universiteti Europian i Tiranës qëndron më mirë në indikatorët nga të tjerët. Në rankimin për Juridikun, UET gjendet në majë të renditjes për kualifikimin e personelit, treguesit e cilësisë, publikimet më të mira, reputacionin në kërkimin shkencor, reputacionin në arsim si dhe për infrastrukturën më të mirë. Në rankimin për fushën Drejtësi, gjashtë pikat e forta të UET nuk ka arritur t’i ketë asnjë nga 13 universitetet e tjera të përfshira në garë, ndërkohë që në nivel të kënaqshëm janë edhe treguesit: raporti pedagog/studentë; punësueshmëria; orientimi ndërkombëtar; çështje të veçanta të mësimdhënies. Edhe në fushën e Shkencave sociale, performanca e UET ka qenë shumë e mirë, pasi ka marrë të njëjtin vlerësim, ku i ka të ndezura dritat jeshile për pesë indikatorët: orientimi ndërkombëtar, publikimet më të mira, reputacioni në kërkim shkencor, reputacioni në arsim dhe infrastruktura më të mirë. Ndërkohë që dy pika të forta dhe mjaft të tjera në nivel të kënaqshëm, UET i ka edhe në fushën Ekonomi-Biznes, në të cilën ai ka marrë pjesë vetëm me disa programe studimi. Kështu, cili prej maturantëve dëshiron që pas përfundimit të studimeve 3-vjeçare “Bachelor” të dalë direkt në tregun e punës, si dhe të marrë diplomën në kohë, direkt pas përfundimit të studimeve, këto mundësi ia ofron ky universitet. Përveç treguesit të punësueshmërisë dhe diplomimit brenda afatit, për fushën Ekonomi-Biznes, UET ka tregues pozitiv edhe për reputacionin në kërkimin shkencor, reputacionin në arsim dhe infrastrukturën më të mirë. Ndërkaq, vlen për t’u theksuar se në asnjë nga tri fushat e studimit Drejtësi, Shkenca sociale dhe Ekonomi-Biznes, UET nuk është vlerësuar negativisht për asnjë tregues. Një e dhënë që nuk është vlerësuar nga ekspertët e huaj në këtë proces, por që mund të sillte përmbysje të rezultateve ka qenë opinioni i studentëve për universitetin ku ata studionin. Përgjigjet e studentëve nuk kanë qenë bindëse për kompaninë CHE, për faktin se pothuajse të gjithë të rinjtë i janë përgjigjur në të njëjtën mënyrë dhe pozitivisht pyetësorëve, çka ka bërë që rezultati të mos merret në konsideratë, si dhe të gjendet një zgjidhje tjetër në të ardhmen për testimin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›