Klasifikimi në tre grupe, si u krye procesi nga kompania CHE
Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë me vendndodhje në Gjermani (CHE) shpalli dje rezultatet e renditjes pilot të institucioneve të arsimit të lartë, për programet e studimit në fushat e Ekonomisë, Drejtësisë, Shkencave sociale dhe Infermierisë, duke shpjeguar edhe metodologjinë e ndjekur për këtë proces. Renditja realizon një listim të programeve të studimit në bazë të disa treguesve përshkrues apo cilësor, objektivë dhe subjektivë. Qasja metodologjike e përzgjedhur për renditjen në Shqipëri është shumëdimensionale, duke marrë parasysh interesat e ndryshme të studentëve dhe profilizimin e institucioneve të arsimit të lartë, në dimensione të caktuara të zhvillimit të veprimtarisë akademike. Klasifikimi i institucioneve është realizuar më gjerësisht në tre grupe: grupi i sipërm (ngjyra jeshile), grupi i mesëm (ngjyra e verdhë) dhe grupi i poshtëm (ngjyra e kuqe). Për Shqipërinë, ky projekt pilot në katër fushat e përzgjedhura ka shërbyer si mësim për një proces në vijim edhe në të ardhmen, për të përfshirë fusha të tjera të studimeve. Qëllimi kryesor i renditjes është informimi më i mirë i studentëve për ofertën në sistemin tonë të arsimit të lartë. Këtij qëllimi i shërben edhe renditja shumëdimensionale. Ajo ofron një gamë të gjerë treguesish që e ndihmojnë studentin të zgjedhë shkollën e lartë sipas interesave të tij parësore. Kualifikimi i pedagogëve është treguesi më i rëndësishëm i cilësisë në një institucion të arsimit të lartë. Kjo do të thotë që studenti që dëshiron të studiojë në një nga fushat e mësipërme duhet të orientohet në tabelë dhe të shohë se cila shkollë e lartë ka trupën pedagogjike me nivelin më të lartë të kualifikimit, domethënë shkolla që për këtë parametër është kualifikuar në grupin e sipërm. Institucionet e arsimit të lartë kanë mundësi që nëpërmjet renditjes të krahasohen për nga cilësia e ofertës dhe të zhvillojnë strategji për të ardhmen e tyre. Projekti pilot i renditjes në Shqipëri kaloi nëpër dy faza kryesore zhvillimi: hartimi i konceptit me një bashkësi të përcaktuar treguesish dhe instrumentet e nxjerrjes së të dhënave; realizimi i projektit pilot të renditjes, i cili përfshin mbledhjen e të dhënave, përllogaritjen dhe publikimin e rezultatit përfundimtar.
Gjatë fazës së parë, u konsultuan pedagogë, studentë dhe drejtues të universiteteve dhe u morën parasysh mendimet dhe sugjerimet për përshtatjen e modelit të zbatuar nga CHE në kontekstin e sistemit arsimit të lartë të vendit tonë. Në fazën e dytë u mblodhën të dhëna nga institucionet e arsimit të lartë, studentët dhe profesorët, të cilat iu nënshtruan përpunimit statistikor sipas metodologjisë që zbaton CHE. Kriteret për pjesëmarrjen e institucioneve të arsimit të lartë në projektin pilot ishin përkatësisht: angazhimi institucionit për pjesëmarrje, fushat e studimit (Ekonomi, Shkenca sociale, Drejtësi dhe Infermieri), numri i studentëve (më shumë se 15 studentë për një program studimi), numri i studentëve që kanë përfunduar studimet, ose që vazhdojnë vitin e tretë të ciklit të parë të studimeve. Institucionet e arsimit të lartë që nuk shfaqen në tabelat e rezultateve ose nuk plotësonin kriteret e mësipërme, (përgjithësisht institucione të krijuara në dy tre vitet e fundit) ose nuk kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në renditje.
Rezultatet e renditjes janë dhënë në tabela për drejtimet Ekonomi-Biznes, Drejtësi dhe Infermieri. Ndërsa për drejtimin Shkenca sociale nuk u arrit të bëhet renditje për shkak të numrit statistikisht të pamjaftueshëm të shkollave të larta që ofrojnë këtë drejtim studimesh. Përmes këtij projekti u bë e mundur që të zhvillohet një model rankimi i përshtatur për kushtet e sistemit tonë të arsimit të lartë dhe të ngrihet një Njësi e Rankimit pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL), e cila ka personel të kualifikuar për të bërë në të ardhmen renditjen e programeve të tjera të studimeve universitare.