Del rankimi i universiteteve, të dhënat guidë për maturantët
Për herë të parë maturantët do ta kenë më të qartë se cilit universiteti duhet t’i drejtohen për të vijuar studimet e larta. Madje jo vetëm kaq, por tashmë secili prej tyre para se të marrë vendimin më të rëndësishëm për të ardhmen për shkollën e lartë, do të ketë në duar të dhëna konkrete për universitetet publike dhe private, duke nisur që nga cilësia e diplomave që ofrohen, mundësitë e punësimit, profesionalizimi i stafit akademik, ambientet etj. Këto të dhëna të rëndësishme jo vetëm për universitetet, por edhe për studentët dhe mbarë opinion publik janë publikuar dje nga Ministria e Arsimit, e cila në bashkëpunim me agjencinë e huaj CHE (Qendra për Zhvillimin e Arsimit të Lartë) kanë prezantuar rezultatet e projektit pilot të renditjes së universiteteve në Shqipëri. Ky projekt, në të cilën kanë marrë pjesë 34 universitete publike dhe private, është fokusuar në katër fusha studimi: Ekonomi-Biznes, Drejtësi, Shkenca sociale dhe Infermieri. Në këtë proces nuk ka pasur emra konkrete universitetesh të renditura nga më i miri te më i dobëti, pasi edhe vlerësimin ka qenë i ndryshëm për programet që ata kanë ofruar. Por, ajo që është më e rëndësishmja në këtë proces ka të bëjë me informimin e studentëve për anët e forta dhe të dobëta të këtyre degëve, në të cilat studiojnë rreth 40% e të rinjve.
“Rezultatet e këtij rankimi pilot do të ndihmojnë studentët të informohen shumë më mirë për anët e forta dhe anët e dobëta që kanë institucionet që ofrojnë programet e sipërpërmendura. Së dyti, politikbërja ka mundësi të nxjerrë konkluzione për politikat dhe investimet për përmirësimin e treguesve të cilësisë që paraqesin universitetet”, - tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Sakaq, kreu i Arsimit ka shpjeguar se rankimi nuk ka të bëjë me akreditimin, por të dhënat e tij mund të përdoren për vlerësimin e universiteteve kur të bëhet akreditimi i tyre sipas standardeve të cilësisë, po ashtu rankimi nuk të bëjë as me skemën e financimit të universiteteve. I pranishëm në konferencë ka qenë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili e ka vlerësuar procesin si të rëndësishëm, pasi nëpërmjet tij do të kuptohet se ku duhet të bëhen më shumë investime, ndërkohë që për të rritur cilësinë, u shpreh ai, duhet të ekzistojë në universitete autonomia dhe liria akademike. “Jemi të gjithë në një mendje, se për të ardhmen e sistemit tonë universitar, për të ardhmen e këtij vendi, nuk ka asgjë më të rëndësishme se rendja pas cilësisë, sesa gara e cilësisë në universitetet tona. Ne mund të angazhojmë fondet më të mëdha, ne mund të ndërtojmë kampuset më të bukura, por ne së bashku duhet të ndërtojmë dhe konsolidojmë si kusht themelor për një cilësi tjetër lirinë akademike. Universitetet duhet të gëzojnë autonominë e tyre”, - tha kryeministri Berisha. Në procesin e rankimit morën pjesë 34 universitete, prej të cilave 7 ishin nga sektori publik dhe pjesa tjetër nga sektori privat, ndërkohë që pjesë e tij nuk ishte Universiteti i Tiranës, pasi drejtuesit e tij nuk pranuan të përfshiheshin, sepse kërkuan që fillimisht të zhvillohej akreditimi, pastaj renditja. Por, me gjithë këtë fakt, pjesëmarrja në procesin e listimit nuk penalizon asnjë universitet, ai do të jetë thjesht një guidë për të orientuar studentin drejt programeve më të mira të studimit. Në përfundim të këtij procesi, MASH do t’u dërgojë universiteteve pjesëmarrëse raportin prej 180 faqesh, ndërkohë që do të përgatisë edhe një guidë për studentët sesi duhet t’i lexojnë treguesit e matur të cilësisë.