E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta Topi: Rasti “Pango” nuk është as i pari e as i fundit, ka të tjera të papublikuara

 

ADI KRASTA

Zonja e Parë Teuta Topi komenton videon e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Në një intervistë në “E Diell” në “Top Channel”, bashkëshortja e kreut të shtetit thotë se ishte një shpërdorim i vlerave njerëzore, por bën thirrje që me këtë ngjarje të mos abuzohet.
Zonja Topi, është qejf të jesh Zonja e Parë e vendit?
Kur e mendon thua se është qejf, por sapo bëhesh fillon përgjegjësia.
Një përgjegjësi që ju e ndjeni gjatë 24 orëve, nuk është që ka momente kur jeni Teuta Topi e gjithjetshme, ju jeni gruaja e presidentit të Republikës gjithsesi...
Ashtu jam, por kur jam vetëm kam punën time, jam rehat, jam shumë e qetë.
Si bashkëshorte e Presidentit jeni një pjesë e një klime të ashpër konfliktuale politike në vend. Lufta politike është e vështirë. Si e ndjeni veten në gjithë këtë atmosferë?
Dashur padashur jam e përfshirë sepse s’mund të rri jashtë saj kur bashkëshorti ka qenë edhe më përpara një aktor mjaft i rëndësishëm si nënkryetar i PD, kryetar i grupit parlamentar dhe kishte një rol tepër aktiv në parti. Por e ndjek edhe si spektatore, por prapë jam shumë e ndjeshme karshi saj dhe mundohem, që vazhdimisht kur bëhen biseda në familje unë të kem atë rolin që them që duhet të ketë një grua, të zbusë gjakrat, të ulë tonet, të ketë sa më shumë marrëveshje mes njerëzve, marrëdhënie të mira dhe të buta, jo të egra. Të ketë paqe, sepse mendoj që kjo është një gjë shumë e rëndësishme, e cila do ta bëjë të gjithë shoqërinë tonë të ecë përpara dhe të jetë shumë e denjë për t’u futur në familjen evropiane.
Si bashkëshorte e di që jeni e përkushtuar, por deri ku shkon përkushtimi juaj? Jeni bashkëshorte militante politike?
Jo militante jo. Mundohem që gjërat t’i ndjek në përgjithësi të gjitha, bashkëshortin ta ndjek në çdo hap, por mundohem të jem sa më e drejtë, mendoj siç mendon populli që është i tretë si spektator, jo si militantët. Populli i sheh gjërat më me gjakftohtësi, mendon më shumë, pasi në debat njeriu dashur pa dashur ka momente që ndoshta flet më shumë se duhet, thotë gjëra që nuk duhen thënë. Unë nuk hyj te militantët.
Bëni jetë të izoluar familjarisht? E keni ndërprerë marrëdhënien me njerëzit, shkoni në vizita?
Vazhdojmë normalisht. Ndoshta te Presidenti mund të ketë ndodhur një ndryshim, sepse ai ka qenë shumë aktiv si natyrë. Ai duke mos dashur që të bëjë këto zhurmat e eskortave, mundohet t’i evitojë duke u futur brenda në shtëpi.
Ju e njihni Presidentin më mirë se kushdo tjetër. Sipas këndvështrimit tuaj është i fuqishëm Presidenti Topi?
Mendoj se është. Edhe ligji i jep të drejtën. Më i fuqishëm nga të gjithë mendoj unë është ai i cili duhet të mbajë ekuilibrat, kështu që dashur padashur del që është i fuqishëm.
Mendoni që bashkëshorti juaj dashuron të mbajë ekuilibrat?
Këtu nuk ka punë dashurie. Them që e ka këtë gjë, por tani edhe sikur të mos donte ai është i detyruar ta mbajë, sepse është Kushtetuta që të vë ca kushte që të thotë ‘do bësh kështu si them unë, jo si do ti’.
Ju keni dy vajza. Ne si publik nuk i shohim ato. Ne kemi kuriozitet, si janë vajzat e çiftit Topi?
Ne kemi dy vajza. Vajza e madhe është Nada, 22 vjeçe këtë vit është në vit të katërt në Fakultetin Juridik. Ndërsa vajza e dytë është Etida, 18 vjeçe, maturante në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Për mua janë vajzat e mia dhe nuk ka ndonjë prind që thotë ndonjë fjalë të keqe për fëmijët e vet. Por unë mendoj që janë të mira, sepse nuk më kanë sjellë ndonjëherë probleme. Është një fjalë që thotë: “S’më ka trokitur njeri te dera e shtëpisë që të më ankohet”.
I njihni ju personalisht miqtë e tyre të ngushtë?
Po edhe i njoh.
Po të dashurit?
Po, kështu nga larg. Në mënyrë shumë të kujdesshme.
Si zonjë e parë, kush merret me veshjet tuaja, ku i rregulloni flokët, ku e pini kafen?
Unë vazhdoj pak a shumë si përpara, nuk i kam ndryshuar këto. Me veshjet merrem vetë kryesisht. Në fillim më thanë që Zonja e Parë duhet të ketë një staf, i cili duhet të merret me të. Por te ne nuk është traditë. Zonja e Parë vjen thjesht si zonjë e parë, por institucion për zonjën e parë nuk ka. Që të jesh institucion, do të thotë të kesh një staf, që të jep këshilla kur del jashtë të të shoqërojë me vete, që të jesh edhe më e mbrojtur.
Si e keni përjetuar ju ngjarjen mediatiko-sociale që ka përfshirë një nga ministrat qeveritarë këto kohët e fundit?
Jo mirë, sepse të gjitha këto mënyrat e jetesës që demokracia solli shpërdoruar vlerat që duhet të ketë njeriu në vetvete. Megjithatë nuk është as e para as e fundit. Ndoshta kjo doli, u publikua, ka shumë të tjera të papublikuara.
Ç’duhet të bëjmë ne në raport me këtë ngjarje, ta mbyllim, ta arkivojmë, të nxjerrim mësime?
Ajo kot nuk u shfaq, ajo pati vlerën e vet, por unë them që çdo gjë duhet me masë. Nuk duhet të abuzohet mbi ngjarjen, por është ajo që nga çdo e keqe duhet të dalë një e mirë. Pra, njerëzit duhet edhe të mësojnë, duhet të jenë të kujdesshëm. Në administratë ka rregulla dhe nuk duhet të përfitohet nga pushteti, por po u tejkalua më shumë, humbasin vlerat e asaj që....
Si bashkëshorte e Presidentit keni takuar shumë personalitete të huaja. Cili prej tyre u ka bërë më shumë përshtypje?
Siç e the dhe vetë unë kam takuar shumë. Vizita e parë zyrtare ka qenë në Greqi dhe ndoshta ajo ka lënë shumë emocione, duke filluar nga protokolli, rregullat, takimet. Atje kam parë që duhet të ecja gjysmë metër mbrapa, apo anash, djathtas apo majtas, që ndoshta në qilim mua nuk më takonte të ecja. Por është një problem që Zonja e Parë kur shkon jashtë ka aktivitetin e saj, nuk e shoqëron Presidentin në aktivitetet zyrtare të tij. Por janë darkat që shtron një president për nder të delegacionit. Më ka bërë shumë përshtypje takimi me Papulias. Jam çuditur shumë kur fliste për kohën e tij të fëmijërisë për vitet e Luftës Italo-Greke dhe kishte një simpati të jashtëzakonshme për popullin shqiptar. Kishte simpati sepse e lidhte çdo gjë me nënën e tij dhe tregonte histori se si e ëma vinte në Shqipëri dhe mbushte thesin me ushqime dhe tregonte që vinte në Fier. Por më ka bërë akoma përshtypje se i pëlqente Gjirokastra dhe tha se ky qytet ka burra që e punojnë shumë mirë gurin. Aty i thashë që Gjirokastra tani ruhet nga UNESCO dhe u kënaq jashtë mase.

ZMQ: zyrtarët maniakë të ndëshkohen
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, apel Kuvendit të Shqipërisë për dhunën ndaj grave. ZMQ ka kërkuar që gjithë zyrtarët e korruptuar e maniakët seksualë të veshur me pushtet, të marrin ndëshkimin e merituar. "Administrata vuan nga ryshfeti seksual dhe zyrtarët e përlyer duhet të ndëshkohen", thuhet në mesazhin e dërguar Kuvendit. ZMQ i kërkon Parlamentit që me një zë të fortë dhe të qartë të dëshmojë se dhuna ndaj femrës nuk do të tolerohet në çdo formë që të shfaqet, në çdo rrethanë dhe në çdo vend. "Askush nuk qëndron dhe nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Rasti i ish- ministrit Pango dëshmon se ligji për shërbimin civil ka mbetur vetëm në letër", deklaroi ZMQ. "Statusi i Shërbimit civil ende mbetet një fiksion dhe konkurrenca për një vend pune mbetet i centralizuar si dhe jo mbi kritere profesionale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›