E Diel, 1 Nëntor 2026

Thua ta kenë dëgjuar Ruka me Blushin, Shamkun?

Gëzim Podgorica 

Për aq sa e njoh unë Blushin, them se nuk do të kishte ndenjur  rehat pas deklaratës që bëri Shamku në ditën e 7 marsit, por sigurisht nuk duhet ta ketë dëgjuar!!! Profesor Rukën e njoh më pak, por duke parë që kohët e fundit ka preferuar të mos ndjehet, mbase do ta kalojë në heshtje akuzën që lëshoi pa iu dridhur aspak qerpiku, zëdhënësja e radhës së PS-së. Ajo duke gjetur rastin të helmojë pak edhe festën e mësuesit, nxori nga arkivi i saj dhe i strategjisë, që çdo ditë e më shumë po përpunohet në selinë rozë për mohimin kategorik që gjithçkaje që është arritur, akuzën e rëndë për çdo vlerë të realizuar nga qeverisja socialiste. Nuk është e para e këtij lloji kjo deklaratë, por kjo e fundit jo vetëm se ishte e drejtpërdrejtë, por pa asnjë mëdyshje nuk bënte dallimin më të vogël midis qeverisjeve të majta me ato të djathta, duke u përpjekur të na bindë se të gjithë kanë qeverisur njëlloj në këtë vend. Plot emfazë, Shamku deklaroi se “politika e mbrapshtë arsimore e këtyre 18 viteve, çfarë nuk bëri që pasioni i mësuesit të shuhet”! Mbaje profesor Et’hemi, mbaje Blushi mbaje, mbajeni edhe të gjithë ju të tjerët që keni drejtuar dikasterin e arsimit, që paskeni bërë një politikë të tillë arsimore dekurajuese për arsimtarët, të mbrapshtë dhe kaq problematike, sa ka zgjuar zemërimin kaq të madh të Shamkut. Ajo duket kaq shumë e ka ndjerë diskriminimin e mësuesve që është bërë për 18 vite, diskriminimin e bërë pa asnjë dallim nga socialistë e demokratë, sa nuk duroi. E ka mbajtur duket brenda vetes pa e thënë deri në ditën e mësuesit dhe pasi doli për t’i uruar e tha, u kujtoi atyre çfarë kanë hequr dhe si ajo do të jetë garantuesja e ndryshimit të madh. Mësuesit e ngratë me sa duket këtë ditë kanë ëndërruar të çlirohen prej ankthit dhe të presin shfaqjen e shpëtimtares së arsimit shqiptar!!! Unë në fakt nuk jam specialist i fushës, mundet që problemet janë kaq të mëdha në këtë fushë, por në këtë moment jam shumë i hutuar. As nuk e kisha menduar ndonjëherë që pas katër vitesh qëndrimi në opozitë, një përfaqësuese e saj, që me sa duket i pret shpata majtas e djathtas, pikërisht atëherë kur fjala dhëmb më shumë se asnjëherë, guxon të akuzojë kaq rëndë jo vetëm maxhorancën, por edhe periudhën e qeverisjes së të majtës, bile pa bërë asnjë dallim dhe me të njëjtën egërsi. Fakte asnjë, por vetëm  fraza, fjalë të fryra dhe mllef, i cili derdhet  nga selia rozë në drejtim të të gjithëve që bëjnë pjesë në të kaluarën e PS-së. Që i fusin të gjitha në një thes këta socialistët e rinj të kontrabanduar në selinë rozë këtë e kam marrë vesh prej kohësh, por që nuk po del një burrë tamam e ta ndalë këtë soj standardi, këtë nuk po arrij  ta deshifroj tamam.
8 vite qeverisjeje të të majtëve po shkojnë në kosh dhe ata po i shkelmon më shumë se Berisha vetë lidershipi aktual socialist. Megjithëse është kohë fushate, nuk po marr mundimin për t’i rreshtuar, por që ata duhet ta kenë një avokat, kjo  më së shumti se kujtdo, i takon ish-ministrave socialistë, të cilët po përbalten herë me emër dhe herë pa emër, herë me politikat që kanë ndjekur e herë me mënyrën e të qeverisurit, nga ardhcakët e rinj. Mirë se ç’thonë këta të fundit, por  mos guximi për të folur tregon se sa keq ka degraduar  personaliteti i atyre që ishin aq hijerëndë, kur ishin ministra dhe funksionarë të lartë deri 4 vite më parë. Që Shamkët po përgatisin strategjinë e asgjësimit të gjithë kësaj kategorie figurash në PS, këtë nuk do shumë mend për ta deshifruar, por pozitat e tezat nihiliste janë ofenduese  përtej kategorisë së të strukurve që presin me zemër në grusht shpalljen e listave. Dhe askush nuk guxon të bzajë, nuk guxon të thotë: Po ndalni një herë o njerëz, e kemi bërë edhe ne ndonjë punë të mirë, e kemi ngritur këtë vend pasi ishte i djegur dhe i rreckosur, ishte pothuaj pa asnjë shkollë dhe gjykatë, komisariat apo institucione në ‘97 ! Morëm në dorë shtetin më të rreckosur të gjithë Evropës dhe dorëzuam shtetin institucional pas tetë viteve, duke e futur në shinat e një zhvillimi integrues. Po me sa duket nuk ka kush ta thotë, prandaj livadhisin e flasin si të duan Shamku e të gjithë sojët si ajo.
Guxim i madh ky i 7 marsit, por aspak i papritur. Jo një herë lançuesi i Politikës së Re ka bërë nihilistin ekstrem për çdo gjë në monologjet e tij demagogjike, por as ish-kryeministrat që ka në tryezë, pa le ish-ministrat dhe më poshtë se ata, nuk kanë pasur kurajo t’i thonë një fjalë të vetme, një fjalë që i tregon atij se nuk jemi në orën dhe vitin zero.
Duke i çburrëruar deri në këtë pikë, nxjerr tani edhe Shamkun e të tjerë si ajo që nuk kanë frikë të mohojnë e anatemojnë përmes një fjalori që ia ka zët edhe vetë Berisha. Ku e ku ai, e kanë tejkaluar në demagogji, në emfazë, në nihilizëm, në mohimin përmes një absurdi të paparashikuar. Dhe përsëri ata “burrat” me namuzë e të fortë të PS, heshtin, nuk flasin, nuk kanë kurajon legjitime të paktën për të mbrojtur punën e vet dhe të ekipeve të tyre. Por durojnë t’u hedhin baltë mbi kokë disa të kontrabanduar në parti, disa nga ata që paradoksialisht arritje dhe realitet të ndryshuar mbajnë vetëm Bashkinë e Tiranës, metropolin ku mbillen pallate më shumë se pemë dhe zhvillimi ka mbetur peng i një klientelizmi të  identifikuar. Ah po, për Tiranën këta tipa janë gati edhe të vrasin, të shpifin, të thonë atë çfarë nuk e parashikon një mendje normale, vetëm e vetëm të japin garanci besnikërie përpara  shefit të tyre që u ka injektuar shijet ylberiste të politikës së re. Politikë që ndërtohet mbi asgjësimin e kundërshtarit brenda partisë, në radhë të parë për të kaluar deri tek oborri i spektrit të majtë. Dhe strategjinë e asgjësimit të individit kërkojnë me sa duket ta  realizojnë duke mohuar e indoktrinuar deri në atë pikë publikun, sa të  jetë i mirëpritur çdo likuidim politik. Jo rastësisht është injektuar gradualisht ideja e një realiteti të trishtë jo vetëm aktual, por edhe politik, e një konflikti të ndezur si në të kaluarën, ashtu edhe tani, për të na bindur se paqësorët që priten të vijnë janë pëllumbat e paqes. Në fakt ata  helmojnë çdo ditë opinionin me teza si kjo e 7 marsit, teza që nuk bëjnë asnjë dallim midis dy realiteteve e angazhimeve politike të ndryshme, programeve dhe investimeve të ndryshme, por që për zaptuesit e rinj të PS-së janë njëlloj, gri. Po vijnë shpëtimtarët. Vetëm kështu ndjehen të përkëdhelur këto soj tipash abuzivë e demagogë, që nuk kursehen për të ndotur jo vetëm të sotmen, por edhe të kaluarën, duke kthyer në mit të tyre, standardin e mosmirënjohjes për çdo gjë dhe për çdo kënd. Ata mund të guxojnë edhe më shumë se sa çfarë artikuluan pa frikë me 7 mars, ata do guxojnë për të fshirë gjithë trashëgiminë demokratike 18-vjeçare, duke na kërcënuar: Demokracia, në fakt autokracia, fillon me ne! Nëse do i durojmë duke fyer e nëpërkëmbur, duke mohuar e akuzuar për çdo gjë, nëse do i tolerojmë në aventurën dhe ekstravagancën e pacipë të të sjellurit të tyre, mirë të na bëhet ne!  Por nuk besoj, pavarësisht pesimizmit që të kap kur shikon reagimet  bëlëbëzake në PS! Nuk besoj se ka ende integritet që është në këmbë dhe nuk e ka kapur të gjithin kasta, nuk besoj se  ndjehen se po lëvizin forca që do t’ia ngushtojnë hapësirat që kanë okupuar padrejtësisht këta zaptues  e demagogë !  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›