E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thikë në qafë shitëses për ta grabitur

 

DURRES/ OERD ULQINI

Goditet me thikë në fyt nëna e tre fëmijëve nga një 16- vjeçar, me qëllim për ta grabitur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 13:30 në zonën e plazhit në Durrës. Sipas policisë, 39- vjeçarja, Valbona Haskafa është sulmuar nga adoleshenti teksa ky i fundit është futur në butikun ku ajo punonte si shitëse. E plagosura ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit, pasi tehu i thikës i ka prekur një arterie. Ndërsa autori i këtij krimi të rëndë, A.T, është arrestuar rreth orës 17:30. Në sajë të hetimeve paraprake, bazuar edhe në deponimet e vetë të arrestuarit, ai fillimisht është futur në butik si klient. Pasi ka parë me kujdes gjithë veshjet, i ka kërkuar 39- vjeçares të blinte një kapuç. Këtë veshje ai e kërkoi i bindur se nuk gjendej në dyqan, çka do t’i shërbente si shkak për të nisur debatin me gruan. Kur kjo e fundit me keqardhje i është drejtuar se nuk kishin kapuç në shitje, atëherë djali ka nisur të bërtasë. Ai i kërkoi edhe numrin e pronarit të butikut për t’i tërhequr atij vëmendjen për mungesa të theksuara të veshjeve që u nevojiten klientëve. Kaq ka mjaftuar që më pas 16-vjeçari të nxjerrë një thikë që e kishte fshehur në trup dhe të godasë në qafë gruan. Viktima ka rënë menjëherë pa ndjenja në tokë mes pellgut me gjak, ndërsa adoleshenti i ka vjedhur gjithë paratë e xhiros së ditës. Burime të policisë bënë të ditur se ai kishte vjedhur edhe një palë atlete të markës “la coste” dhe një xhup të së njëjtës markë. Më pas ai është larguar me shpejtësi. Punonjës të subjekteve private që gjenden afër butikut e kanë gjetur 39-vjeçaren e plagosur dhe e çuan menjëherë në spital. Mjekët bënë të ditur se viktima ka marrë një plagë të rëndë në qafë, pasi tehu i thikës i ka prekur dhe damarë. Por fatmirësisht ajo është dërguar shumë shpejt në spital, çka sipas tyre jep shpesa për jetën e saj për shkak se nuk kishte humbur shumë gjak. Mësohet se 39-vjeçarja është nënë e tre fëmijë, ndërsa i rriste ata jetimë. Bashkëshorti i saj, ish- efektiv i policisë së shtetit, kishte ndërruar jetë disa vite më parë. Gjendja e vështirë ekonomike e kishte detyruar gruan të punonte si shitëse në këtë dyqan, për të siguruar bukën e gojës së fëmijëve të saj. Burime të policisë bënë të ditur se pasi morën sinjalin për ngjarjen shkuan menjëherë në vend ndërsa identifikuan autorin. Pas identifikimit të tyre, ata u vunë në kërkim të 16-vjeçarit, i cili mësohet se njihej në zonën e tij si tip problematik dhe konfliktual. Madje në vendin e ngjarjes mësohet se përveç krerëve të Policisë së Durrësit, mbërriti edhe Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e shtetit, Nikolin Bala. Kjo për shkak se ngjarja u konsiderua shumë e rëndë. Kjo ngjarje përkoi edhe me 8 marsin, ditë që festohet nga gratë në mbarë botën. Sipas burimeve të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të riut u gjet thika e gjakosur, sendet e vjedhura si dhe lekët, shuma e të cilave nuk u bë e ditur. Policia tha se ka prova më se të mjaftueshme për t’i adresuar autorësinë adoleshentit, ndonëse ky i fundit e ka pranuar edhe vetë krimin e kryer. Policisë iu deshën tri orë për të lokalizuar vendin ku ndodhej adoleshenti dhe për t’i vënë prangat me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje me qëllim grabitjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›