Keqkuptimi me dashje i demokracisë
Nikollaq Neranxi
Sa më shpesh të shohësh nga e kaluara jote aq më larg do e hedhësh shikimin drejt së ardhmes tënde. E nëse kjo thënie mund t’i ketë bërë guidë në jetë shumicës prej nesh, mendoj se sot ajo duhet të kthehet në filozofinë e ekzistencës së shoqërisë sonë. Meqë përmenda të kaluarën, më kujtohej një episod i ndodhur në prag ndërrim sistemesh, në fund të vitit ‘90. Ishte ajo kohë kur krahas euforisë që na kishte përfshirë, për shkak të rënies së diktaturës, lindi edhe një oreks i madh për shkatërrim, në emër të shkuljes nga rrënjët të së shkuarës. Një punëtor fabrike diku në veri të Shqipërisë, kishte marrë në krah një skelet çisterne. Të njohurit e tij e pyesin: “Çfarë është ajo që ke në kurriz dhe mbi të gjithë për çfarë të duhet?”. Tjetri u përgjigj: “Nuk e di se çfarë është dhe për çfarë shërben, por meqë të gjithë po marrin diçka, thashë të marr edhe unë, fundja Shqipëria po vidhet dhe po shkatërrohet!”. Sot, që kanë kaluar 19 vite, normalisht duhej që momenti i atij punëtorit me çisternë në krah, të na dukej absurd e qesharak dhe realiteti i asaj kohe, i largët.. Sot kanë ndryshuar kohët, njerëzit janë ndërgjegjësuar dhe realiteti na ofron tjetër panoramë. Sot kemi politikanë që shpërdorojnë besimin, falë kujtesës së shkurtër që kanë, pasi harruan se u futën në politikë si idealistë. Ata fshijnë nga faqja e dheut çfarë t’ju dalë përpara, por në ndryshim nga punëtori që përmenda më lart, ata dinë se çfarë marrin dhe për çfarë iu hyn në punë. Dhe mbi të gjitha ata kanë mundësira pa fund, pasi në duart e tyre nuk janë më rrangallat e një sistemi që dha shpirt, por mundi dhe djersa e një populli që iu ka besuar gjithçka, iu ka besuar të ardhmen e tij, fatin e tij. Lind pyetja: kaq i mallkuar paska qenë ky vend që në këto 19 vite nuk arriti të zgjedhë njerëzit e duhur për ta drejtuar? Në këto vite tranzicioni pritej që disa burra të vërtetë, të mund të shkruanin një copëz të rëndësishme të historisë së këtij vendi, pasi kur je i pari, mbetesh në kujtesë, merresh si shembull për t’u imituar nga të gjithë ata që do të pasojnë. Kjo pasi vlerat e vërteta të një lideri, nuk duken edhe aq në momentet e komoditetit dhe të bashkëjetesës në prosperitet, por pikërisht atëherë kur përpara teje paraqiten sfidat ekzistenciale. Sot, nëse bota e qytetëruar ka arritur, që falë zhvillimit të drejtohet nga liderë që janë menaxherë të mirë, në Shqipëri nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Pasi një menaxher i mirë, drejton atëherë kur revolucionarët, burrat e shtetit, kanë hedhur themelet e forta, kanë krijuar garancitë, falë ideve të shëndosha, në mënyrë që të ecet në rrugën e duhur. Ndërsa tek ne një menaxher shteti është i destinuar të falimentojë pasi paraardhësit e tij nuk kanë ndërtuar asgjë. Por si mund të shkohet përpara, duke u justifikuar se mua mu desh të filloja nga a-ja, ose më keq akoma, duke kërkuar të marrësh për vete atë që harroi ai që ishte para teje? A e imagjinoni se çfarë mund të ndodhë nëse askush nuk do përpiqet ta shkatërrojë një herë e mirë këtë zinxhir që na ka lidhur të gjithëve nga koka te këmbët? Prandaj duhet kthyer koka pas, për të parë se çfarë u bë gabim dhe për të filluar. Ndryshe, menjëherë! E meqë jemi vonë, shumë vonë, na duhen t’i referohemi atyre modele drejtuesish, të cilët vunë themelet e shtetit në vendet e tyre në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, atyre që besonin se vendi i tyre mund të bëhet, atyre që ishin gati të sakrifikonin gjithçka për këtë ideal. Deri tani nuk kemi pasur asnjë të tillë dhe kjo është e dhimbshme vetëm kur e mendon, jo më ta vuash ditë për ditë, a thua se destini ynë është i shkruar me germat më të zeza, nga dora më e pashpirt e kësaj bote humane. Revolucionari i vërtetë, njeriu i ndryshimit, është ai që udhëhiqet nga një ndjenjë e fortë dashurie, altruizmi, një idealist që beson se një jetë më e mirë për të gjithë, është një jetë më e mirë edhe për të. Një politikan hajdut, i pasuruar në një vend të varfër, është një fatkeq, një individ që e gënjen mendja se po ia kalon mirë dhe se zgjedhja e tij ka qenë më e mira. Ai individ, sa të ketë frymë, nuk do ketë kurrë kurajo që të shohë të tjerët në sy, ai do ketë turp nga historia e zezë që ka shkruar për të gjithë ata që i besuan fatin, me shpresën e historisë së bardhë. Sot, në prag zgjedhjesh, kur klasa politike ka ndezur motorët për të treguar gënjeshtrat e radhës, ka vënë maskat e dhembshurisë teksa kërkon të shtrëngojë me ju duart e pista, me gishtërinj të lodhur nga numërimi i parave që duhet të ishin tuajat, ka ardhur momenti që të përballet me dorën që nuk pranon të zgjatet më, me psikikën që nuk pranon të nënshtrohet. Sot, falë një sistemi zgjedhor pa fytyra, mund t’ju serviret si përfaqësuesi juaj, individi më jo përfaqësues që mund të ekzistojë, vetëm e vetëm se ai ka mësuar mirë se si t’i bindet shefit të tij, sepse dihet, shefi sot ka në dorë gjithçka… Por në të vërtetë, ata që kanë në dorë gjithçka janë zgjedhësit, paçka se në mendjet e “kokave të kombit”, ata janë lehtësisht të manipulueshëm. Fundja në 19 vite tranzicion dhe keqkuptim me dashje të qenies në politikë, edhe banori i zonave më të thella të Shqipërisë, ka kuptuar se demokracia është një qeverisje e popullit, e dalë prej popullit dhe në shërbim të tij. Tani është momenti juaj! Në fakt ishte dje, por më mirë vonë se kurrë!