Dibra: Nga dënimet alternative do të përfitojnë 84 gra të dënuara
TIRANE - Dënimet alternative pritet të favorizojnë 84 gra, që vuajnë dënimin në burgun 325 në kryeqytet. Kreu i burgjeve, Gazmend Dibra shfrytëzoi dje festën e organizuar në këtë burg për t’iu dhënë lajmin e mirë grave shqiptare që vuajnë dënimet e marra nga gjykata, të cilat dje në festën 8 Marsit prisnin si vitin e kaluar falje dënimi nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Festën e organizoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të dënuarat duke u sjellë atyre fëmijët ose njerëzit e tyre më të dashur për t’i takuar në qeli. Dita e djeshme ka qenë e veçantë për gratë që vuajnë dënimet në këtë burg, pasi ato kanë marrë buqeta me lule nga fëmijët dhe të afërmit, të cilët u kanë uruar festën ndërkombëtare, ndërsa dhurata më e madhe për to ka qenë lajmi i mirë i kreut të Burgjeve, për lirimin e tyre me kushte, duke aplikuar dënimet alternative. Fjala e Dibrës, së bashku me lulet e dhuruara nga fëmijët, e ka bërë ditën e djeshme në këtë burg ndoshta më të bukurën që kanë kaluar të dënuarat brenda hekurave. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, pasi uroi gratë për festën pohoi se ligji për dënimet alternative u jep mundësi kësaj kategorie të burgosurish të përfitojnë. Ndërkohë burime nga burgjet pohuan dje se tashmë një grup pune ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit të të dënuarve që do të përfitojnë nga zbatimi i ligjit për dënimet alternative. Kështu, sipas tyre, kategoria e grave janë ato që pritet të përfitojnë mjaft favore, si ulje dënimi dhe shuarje të tij, kjo për shkak se rehabilitimi i tyre është më i shpejtë dhe rrezikshmëria shoqërore, për të kryer vepra penale apo për të përsëritur krimin për të cilin ndodhen në qeli është shumë e vogël. Po kështu paraqitet në nivelet më të larta ecuria e rehabilitimit të këtyre personave. Mjaft nga gratë e burgosura kanë përfituar herë pas here leje shpërblyese disa ditore nga autoritetet e këtij institucioni të vuajtjes së dënimit, të cilat gjetën rastin për të falënderuar për këtë drejtoreshën e institucionit Irena Çela dhe stafin e këtij institucioni të sigurisë së ulët, i vetmi në vend me status të tillë. Gratë që vuajnë dënimin në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi”, u shprehën se respektimi i afatit të lejes së tyre me përpikëri duhet të shihet si një arsye më tepër për të përfituar nga zbatimi i ligjit për dënimet alternative. Ndërkohë autoritetet e burgut u shprehën se kjo do të ndihmonte jo vetëm në rehabilitimin e shpejtë dhe të suksesshëm të së dënuarave, por edhe në zbutjen e mbipopullimit në qeli, fenomen, të cilit nuk i ka shpëtuar edhe burgu i vetëm i grave në vend. Aktualisht, në qelitë e këtij burgu ndodhen më tepër të dënuara se kapaciteti që ofrojnë qelitë e amortizuara të institucionit të ndërtuar si kamp pune gjatë kohës së diktaturës komuniste. Lirimi i një pjesë të grave, apo kryerja e dënimit të tyre në mënyrë alternative mes burgut, banesës dhe një vendi pune do të zgjidhte veç tjerash edhe fenomenin e mbipopullimit. fa.ma.