Ministria pengon dënimet alternative
Trazhgim Sokolaj
Ndryshimet ligjore për dënimet alternative (jo me burgim) kanë hyrë në fuqi që në nëntor 2008, ndërsa Ministria e Drejtësisë ende nuk është gati për zbatimin e tyre. Pengesë është bërë ngritja e “Shërbimit të provës”. Ky është një komision i parashikuar nga ndryshimet në ligj, i cili shqyrton rastet e personave të cilët mund t’i shpëtojnë dënimeve me burgim dhe t’i nënshtrohen masave alternative. Në nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale të hyrë në fuqi me ndryshimet e fundit më 27 nëntor 2008, me titull “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, thuhet se “për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”. Siç duket edhe nga përmbajtja e ligjit të ndryshuar, “Shërbimi i Provës” është një mekanizëm pa të cilin dënimet alternative nuk mund të zbatohen. Policia, Prokuroria, gjykatat dhe burgjet, thonë se në mungesë të “Shërbimit të provës”, dënimet alternative nuk mund të zbatohen në asnjë rast. Ndryshimet ligjore për dënimet alternative u iniciuan vetë nga Ministria e Drejtësisë veç të tjerave edhe për të ndikuar në uljen e mbipopullimit në sistemin e burgjeve. Ndërkaq, duket se dikasteri i drejtësisë ende nuk është gati të përmbushë detyrimet, që lindin nga ndryshimet ligjore që vetë ky institucion ka iniciuar. Kanë kaluar tre muaj nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ndryshimeve në ligj dhe komisioni në Ministrinë e Drejtësisë nuk është ngritur madje ka mbetur në kuadër të një nisme në letër. Burimet zyrtare nga gjykatat dhe prokuroria, të cilat janë aktorë në zbatimin e dënimeve alternative, pohojnë se ende nuk ka asnjë veprim konkret për ngritjen e “Shërbimit të provës”, çka mund t’i hapte rrugë zbatimit të dënimeve alternative.
Dënimet alternative
Neni 59/a
Qëndrimi në shtëpi
Për dënimet me burgim deri në dy vjet ose kur kjo kohë është pjesë e mbetur e dënimit, sipas një vendimi për një periudhë më të gjatë burgimi, gjykata mund të vendosë vuajtjen e dënimit të dhënë me qëndrimin në shtëpi të së dënuarit, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik, kur ekzistojnë rrethanat e mëposhtme:
a) Për gratë shtatzëna ose nëna me fëmijë, nën moshën 10 vjeç, që jetojnë me të.
b) Për baballarët, që kanë përgjegjësi prindërore për fëmijën, që jeton me të, nën moshën 10 vjeç, kur nëna e tij ka vdekur apo nuk është e zonja për t’u kujdesur për të.
c) Për persona, në kushte të rënda shëndetësore, që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm nga shërbimi shëndetësor, jashtë burgut.
ç) Për personat mbi 60 vjeç, që janë të paaftë nga ana shëndetësore.
d) Për të rinj, nën moshën 21 vjeç, me nevoja të dokumentuara shëndetësore, studimore, të punës apo përgjegjësive familjare.
“Rrjeti i gruas” apel për më shumë vëmendje
TIRANE – Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, rrjeti Shqiptar kundër dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit bëri dje një deklaratë për shtyp, ku përshëndet të gjitha ato gra dhe vajza, si dhe atë pjesë të shoqërisë dhe shtetit shqiptar, që punon e lufton çdo ditë, për të rritur respektin e të drejtave dhe të dinjitetit të tyre në të gjitha fushat: në familje, në punë, në arsim, art e krijimtari, si dhe në jetën politike. “Shpresojmë që më tepër se çdo ditë tjetër, kjo ditë do të shërbejë për të kthyer vëmendjen e shtetit shqiptar, kah grave që kanë nevojë: atyre që luhaten çdo ditë midis pabarazisë e varfërisë, përballen me dhunën fizike e psikologjike brenda familjes; atyre që edhe pse punojnë me shpirt për të siguruar jetesën në familjet e tyre nuk kanë asnjë pasuri për vete, por mbeten përjetë të varura financiarisht; ndaj grave që rrisin me aq mundime fëmijë të ngujuar nga plagët e gjakmarrjes, si dhe gjithë atyre që ndeshen me abuzime primitive e vulgare të së drejtave të tyre”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga pesë organizma për mbrojtjen dhe përfaqësimin e grave.