E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lista e çmimeve" në tregun e vdekjes

Vrasja spektakolare e parapakkohshme e manjatit të njohur të medias kroate Ivo Pukaniç, në qendër të Zagrebit, hapi edhe një herë tjetër "kutinë e zezë" ballkanike të fshehtësisë, si dhe "çështjen mbi çështje": sa u paguajnë vrasësve me pagesë porositësi, ose porositësit e atentateve.

Sidoqoftë, ekspertët kroatë dhe serbë për krimin e organizuar në Ballkan, të cilët, praktikisht, janë më të përfshirët në këto punë, pasi "topi ndodhet në fushën e tyre" (vrasjet më të bujshme mafioze kanë ndodhur kohët e fundit në Kroaci dhe Serbi), paraqesin "lista çmimesh të vdekjeve" të ndryshme, në varësi të rrethanave specifike, në të cilat kryhet vrasja (atentati).

Nga markat, te dollarët dhe eurot

Në mediat kroate dhe në sajtet (site-t) e specializuara, këto ditë po përmenden shifra konkrete për një atentat të porositur, në varësi të mënyrës së kryerjes së tij. "Deri në vitin 2003, të gjitha vrasjet e porositura kushtonin 20 deri në 30 mijë marka gjermane, por që nga ajo kohë, oreksi i atyre që merrnin përsipër të kryenin një atentat, u rrit gjithnjë e më shumë. Në atë kohë, në televizionin hungarez, në orarin kur emisionet televizive kanë audiencën më të madhe (prime-time), një vrasës anonim rus me pagesë iu përgjigj me gjakftohtësi një pyetjeje provokuese të moderatorit (drejtuesit) të emisionit përkatës se, ai (pra vrasësi me pagesë) do ta kishte "hequr qafe" menjëherë Kryeministrin e vendit të tij për 1 milion dollarë, pasi kaq ishte çmimi për porositë "cilësore" në "tregun e vdekjes"!

Vrasjet me eksploziv

Pas një "bunaceje" (det i qetë) të shkurtër, "ujërat e detit" u trazuan përsëri në Beograd në vitin 2006, kur ndodhën tetë vrasje të porositura dhe, për herë të parë në historinë e këtij vendi, u përdor "receta kolumbiane" gjatë vrasjes së njërit prej krerëve më famëkeq të botës mafioze të krimit në Serbi e përtej saj, Goran Mijatoviç, i njohur ndryshe si "Mite". Ai u likuidua në një atentat me shpërthim lënde eksplozive, bashkë me truprojën e tij, ndërsa po bëhej gati të hipte në makinën e vet.

Ekspertët thonë se vrasjet e porositura me shpërthim lënde eksploziv kushtojnë dy herë më lirë se vrasjet e tjera të porositura në "listën e çmimeve" në tregun e vdekjes, pasi atentatori nuk e rrezikon jetën e vet, kurse viktima e shënuar me "rreth të kuq" i ka shumë të vogla, ose nuk ka fare shanse të shpëtojë nga vdekja. Si provë që e konfirmoi qartë këtë fakt, shërbeu vrasja e bujshme e radhës në Beograd, një vit pas asaj të "Mites", kur në erë "fluturoi" një herë e përgjithmonë, po sipas "recetës kolumbiane", Marko Filipoviç - "Taki", anëtar i Klanit të Dorçolit.

Vrasjet me snajper

Vrasja me snajper, që ndryshe quhet "modeli malazez", konsiderohet si atentati me vrasjen më të sigurt, qysh nga viti 1996, kur në Shën Stefan të Malit të Zi u likuidua Sasha Lavoviç nga Budva. Veç vrasjes së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiç, në qoftë se do ta quajmë atë si një çështje të zgjidhur, asnjë rast vrasjeje tjetër me snajper në Evropën Lindore nuk është zgjidhur! Kjo është arsyeja që kjo lloj vrasjeje nuk mund të porositët me një çmim më të ulet se sa 100 mijë euro. Kështu, pak a shumë, në qershor të këtij viti u likuidua në Beograd Aleksandar Millosheviç, i njohur si "Aca Kosturi", një lloj padrinoje krimi dhe "playboy" i njohur, në atë që u konsiderua si një larje hesapesh mes qarqeve kriminale beogradase dhe bullgare, thonë kriminologë të njohur kroatë.

Organizimi i një atentati

Kriminologu serb, Bozhidar Spasiç, nga ana e tij, vë në dukje se vetë fakti që deri te porositësi kryesor i vrasjes, në përgjithësi, nuk arrihet kurrë, tregon, në radhë të parë, se midis tij (porositësit) dhe atentatorit ka, të paktën, 10 veta ose më shumë. P.sh., në vrasjen e Ivo Pukaniçit, dikush ka pasur detyrë të gjente lëndën eksplozive, dikush tjetër të merrte me qira një apartament, ku ka qëndruar i fshehur vrasësi deri në ditën e atentatit, kurse një grup i tretë ka pasur si detyrë të garantonte largimin menjëherë të atentatorit pas vrasjes. Pra, në rastin e organizimit dhe të kryerjes së një atentati, kemi të bëjmë me përfshirjen në të, të 10 ose më shumë vetave, të cilët as nuk e kanë idenë se kush është porositësi i parë, pra ai i vërteti. Secili në këtë zinxhir pjesëmarrësish në atentat merr minimumi 1000 euro, pa përmendur atë që kryen atentatin.

Nga 50 mijë euro, në 1 milion

Burime të specializuara kroate thonë se "lista e çmimeve të vdekjes" në Ballkan tashmë është përcaktuar në mënyrë të saktë:

- "Pritësi", pra ai që zë pritë, del dhe e vret viktimën me pistoletë paguhet - 50 000 euro e sipër;

- Vrasja me lëndë eksplozive plastike tarifohet nga 25 deri në 250 mijë euro. Ndryshimi mes çmimeve, sikurse duket, është i madh, pasi për vrasjen e figurave të njohura mediatike paguhen shuma të mëdha, pra që shkojnë deri në 250 000 euro;

- Atentati me snajper kushton 100 mijë euro e sipër, pasi raste të tilla vrasjesh pothuajse nuk zgjidhen kurrë;

- Për vrasjen e politikanëve dhe të personave të njohur publikë, ose të personave që ruhen me truprojë, çmimi i vrasjes mund të shkojë deri në 1 (një) milion euro, madje edhe më shumë. Llogaritet se, nëse hetimet parashikohen të jenë të thella e serioze, për shkak të interesimit dhe presionit të opinionit publik, rreziku konsiderohet më i madh dhe, vetëkuptohet, që kjo reflektohet në rritjen e çmimit të vrasjes së porositur.

Çmimet

- "Pritësi", pra ai që zë pritë dhe del e vret viktimën me pistoletë paguhet - 50 000 euro e sipër;

- Vrasja me lëndë eksplozive plastike tarifohet nga 25 deri në 250 mijë euro. Ndryshimi mes çmimeve, sikurse duket, është i madh, pasi për vrasjen e figurave të njohura mediatike paguhen shuma të mëdha, pra që shkojnë deri në 250 000 euro;

- Atentati me snajper kushton 100 mijë euro e sipër, pasi raste të tilla vrasjesh pothuajse nuk zgjidhen kurrë;

- Për vrasjen e politikanëve dhe të personave të njohur publikë, ose të personave që ruhen me truprojë, çmimi i vrasjes mund të shkojë deri në 1 (një) milion euro, madje edhe më shumë


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›