E Diel, 1 Nëntor 2026

Amaneti, familja nga Tropoja i fal pas 14 vitesh, gjakun familjes nga Puka

KURBIN - “Faljani gjakun familjes Delia. Nuk duhet të shkrepim pushkë mbi të, pasi ka një djalë të vetëm dhe i mbyllim derën”. Ky ishte amaneti i lënë pak para vdekjes nga Syl Gjeloshi. Dhe amaneti i plakut nga fshati Polç i Komunës Nikaj-Mërtur të Tropojës u përmbush dje, në një ceremoni të zhvilluar në kishën e Shën Ndreut në Mamurras.

Pas 14 vitesh në hasmëri, familja Gjeloshi dhe ajo Delia nga fshati Aprrip i Komunës së Mërturit në rrethin e Pukës i kanë dhënë fund gjakmarrjes. Pavarësisht dhimbjes së madhe për vrasjen e të birit në moshë fare të re, Syl Gjeloshi ka “kapërcyer” mbi dhimbjen dhe mllefin, mbi kanunin dhe opinionin krahinor.

I fisëm, plaku ka porositur familjarët që të mos shuanin familjen e hasmit pavarësisht gjëmës që i kishin bërë. Falë fisnikërisë së Gjeloshit dhe ndërmjetësimit të Misionit të Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër, pjesëtarët e dy familjeve në gjak dje i shtrënguan duart.

Në ceremoninë e rastit ishte e pranishme dhe deputetja Pavlina Hoti si dhe misionarë të Kishës Katolike. Mësohet se familja e viktimës (Gjeloshi) banon prej disa kohësh në Mamurras, ndërsa familja Delia në Tiranë. Ceremonia e pajtimit të gjakut është zhvilluar fillimisht në kishën e Mamurrasit. Burrat e familjes Delia kanë hyrë në kishë me duar të kryqëzuara (sipas kanunit përfaqësuesit e familjes e vrasësit duhet të shkojnë me duar të lidhura dhe në momentin e faljes së gjakut, pala tjetër u pret litarin nga duart), duke iu përmbajtur ritit.

Më pas përfaqësues të familjes Gjeloshi kanë deklaruar faljen e gjakut të djalit të tyre. Ndërkohë, mësohet se më shumë se 14 vjet më parë djali i familjes Delia nga Puka gjatë një sherri të çastit ka vrarë djalin e familjes Gjeloshi nga Tropoja (fshatrat e dy djemve ndaheshin nga liqeni i Fierzës).

Pas ngjarjes, dy familjet nga veriu i vendit kanë hyrë në gjak me njëra-tjetrën. Të afërm, pleqësia e dy fshatrave si dhe përfaqësues të Misionit të Pajtimit të Gjaqeve kanë nisur përpjekjet për të pajtuar dy familjet në fjalë dhe për t’i dhënë fund gjakmarrjes. Pavarësisht ndihmës së këtyre të fundit, ishte amaneti babait të djalit të vrarë që çoi në faljen e gjakut dhe të një historie makthi 14-vjeçare.
(Shkrimi sot në Gazeta Shqipare)
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›