E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afron ora e "Klasikes", ndizet sfida Real-Barça

TIRANE-Reali dhe Barcelona do të përballen nesër në mbrëmje në çerekfinale të Kupës së Mbretit, duke vijuar kështu sagën e klasikeve të nisura në prill të vitit të shkuar. Madrilenët kanë ndryshuar shumë që nga ndeshja e "manitës", ku katalanasit fituan 5-0, duke i dhënë një leksion futbolli skuadrës së Murinjos. Edhe ndeshja e kampionatit, e luajtur një muaj më parë në "Bernabeu", shkoi në favor të ekipit kampion Evrope në fuqi, ndonëse Reali e nisi sfidën me gol që në sekondat e para, të realizuar nga Karim Benzema. Kristiano Ronaldo thotë se ndeshja e së mërkurës në mbrëmje nuk do të ketë një presion ekstra për të dhe Realin. Portugezi është vënë shpesh në qendër të kritikave, për shkak të paraqitjeve jo të mira në klasiket me Barçën dhe rivalit të tij Lionel Mesit. Përpos kësaj, Ronaldo thotë se po e pret ndeshjen e së mërkurës si një sfidë normale dhe pa presion. "Unë përpiqem gjithnjë të relaksohem përpara një ndeshjeje, - tha ai. - Nuk jam nga ata që ndihem në presion, pasi mendoj vetëm për sfida të reja. Mendoj se fortësia e mendjes është ana ime kryesore", shtoi ai. Ronaldo deklaroi më tej se mundohet të shijojë çdo ndeshje, pa menduar se kush është kundërshtari. "Kur je i lumtur dhe kënaqesh me lojën që bën, dëshiron vetëm që të arrish rezultate të mira dhe skuadra të kënaqet", deklaroi lojtari i Realit.
Ndryshimi
Në prag të sfidës me Barcelonën, mbrojtësi portugez Pepe kërkon që skuadra madrilene, të dhurojë një paraqitje ndryshe nga ajo e së shtunës kundër Majorkës. Reali fitoi vetëm në pjesën e dytë, në një takim ku lojtarët e ekipit kryeqytetas dukeshin jo në nivelin e tyre të zakonshëm. "Duket se po hasim pak vështirësi që të fokusohemi në startin e ndeshjeve, por duhet ta fiksojmë në kokë që kjo të mos ndodhë më, - u shpreh Pepe në uebsajtin zyrtar të Realit të Madridit. - Duhet të ndryshojmë mentalitetin, duhet të luajmë të përqendruar dhe me zgjuarsi kundër Barcelonës", tha më tej portugezi. Pepe ka qenë një nga zbulimet e Murinjos në ndeshjet e fundit, duke luajtur si mesfushor shkatërrues dhe duke u bërë një "hije" e Lionel Mesit në fushë. Por, kjo ka bërë që ai të dalë disa herë me të kuqe në klasiket me Barçën.
Guardiola
Megjithë fitoren 3-1 të arritur në muajin dhjetor, trajneri i Barcelonës Pep Guardiola mendon se në "Bernabeu" do të jetë një presion i madh, por që futbollistët e tij mund ta durojnë. Katalanasit janë 5 pikë pas Realit në kampionat dhe nuk duken në formën e tyre më të mirë. Të dielën ata fituan 4-2 ndaj Betisit, por në fakt nuk treguan gjërat e tyre të zakonshme në fushë. "Është një ndeshje Kupe me eliminim dhe jo ndeshje kampionati, - tha Guardiola. - Nuk kam vënë re apo të dëgjoj ndonjë nga lojtarët e mi të thotë se nuk dëshiron të fitojë trofe. Në ndeshje të tilla, futbollistët e Barçës kanë dëshirën që të bëjnë një paraqitje të mirë dhe dinë ta mbajnë presionin". Ndërkohë, Andres Iniesta pret një ndeshje spektakolare në "Bernabeu", ku Reali njeh vetëm humbjen me Barçën në kampionat këtë sezon. "Do të jetë një ndeshje shumë e bukur për spektatorët dhe për futbollistët që do të jenë në fushë, - tha mesfushori katalanas. - Jam i sigurt se do të jetë një sfidë intensive", shtoi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›