Thaçi - Ahmeti konsensus për kandidat të përbashkët për president

Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë ka bërë të ditur jozyrtarisht se lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka kërkuar nga Menduh Thaçi që dy partitë të dalin me kandidat të përbashkët shqiptar në zgjedhjet presidenciale të 22 marsit. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi është takuar me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, pas ftesës së bërë të këtij të fundit. Takimi kokë më kokë dhe i papritur midis dy liderëve të partive më të mëdha politike është zhvilluar në selinë e komunës së Tetovës, ku tema kryesore ka qenë zgjedhjet presidenciale dhe vendore të 22 marsit dhe zhvillimet e fundit politike, sidomos pas debateve që kanë të bëjnë me kandidaturat presidenciale."Kemi rëmë dakord që zgjedhjet e ardhshme të 22 marsit të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe demokratike", ka theksuar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Duke komentuar deklaratën e fundit për marrëveshje me Gruevskin, kryetari i BDI-së ka shtuar se nuk ka marrëveshje të shkruar me kryeministrin Gruevski, por vetëm një marrëveshje që siç tha ai është në parim. Ahmeti tha se po vazhdohet të bisedohet me këtë parti maqedonase. Ndërkohë që lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi ka thënë se në kohën kur ishte në pushtet, Ahmeti nuk kishte pranuar të takohej me të, ndërsa tani, ai vetë kishte pranuar. Siç bëhet e ditur, gjithashtu Thaçi ka kërkuar nga Ahmeti që të hiqet dorë nga dhuna në zgjedhje dhe evitimi i incidenteve, me qëllim që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.