Çerifikohen 140 punonjësit e rinj të Policisë së Shtetit

Është zhvilluar sot në ambientet e Qendrës së Formimit policor në Tiranë sot ceremonia e çertifikimit të 140 punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit, që përfunduan me sukses kursin 22 javor, të Shkollës Bazë të Policisë "Për patrullë të përgjithshme".
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, theksoi në fjalën e tij: "Gjatë zbatimit në praktikë të njohurive të fituara ju mund të përballeni me vështirësi të natyrave të ndryshme. Prandaj ju këshilloj që ashtu si deri tani, të jeni këmbëngulës në zbatimin në praktikë të njohurive të përfituara, të përfitoni nga përvoja e kolegëve në terren, të respektoni kolegët dhe eprorët tuaj, të respektoni gjithmonë qytetarin dhe të rrisni në vazhdimësi cilësinë e shërbimeve që ne i ofrojmë atij".
Burgaj përsëriti kërkesën dhe nevojën që ka shoqëria ndaj Policisë së Shtetit për përmirësim të mëtejshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike, si dhe për rritjen e efiçencës në funksion të zbatimit të ligjit.
Ndërsa Drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Hamdi Fjora, tha se "detyra e punonjësit të policisë është e vështirë dhe komplekse, por unë jam plotësisht i bindur se bazat e njohurive që ju morët, ndërsa përgatiteshit si njerëz të zbatimit të ligjit, janë shumë të shëndosha".