Thaçi: Situata në veri, turp për Prishtinën e Evropën
PRISHTINE-“Situata në veriun e Kosovës nuk është vetëm turp për Prishtinën, por për tërë Evropën. Atje nuk ka pasur ndonjëherë zgjedhje të lira, demokraci ose shtet ligjor” ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë dhënë gazetes Zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”. Sipas kryeministrit të Kosovës, mes Qeverisë dhe qytetarëve në veri nuk ka konflikt. “Ata janë gjithashtu qytetarë të Kosovës, kurse unë si kryeministër jam edhe në shërbim të tyre. Problemi qëndron në faktin se 200 deri në 300 persona të veriut kanë bërë shumë para me kontrabandë, kriminalitet dhe krim të organizuar. Ne kemi vënë mjete në dispozicion për të mundësuar investime në veri, siç janë shkollat, spitalet, rrugët, urat. Me këtë duam që ata qytetarë të integrohen, të krijojmë vende pune dhe të mundësojmë jetë sociale” është shprehur kryeministri i Kosovës. Sipas Thaçit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i shërben të ardhmes së të dy vendeve dhe popujve. Dialogu është i natyrës teknike dhe jo politike. Në kuadër të dialogut kemi mënjanuar problemet rreth vulës doganore të Kosovës, kurse bisedimet do t’i vazhdojmë rreth sektorëve të energjisë dhe komunikimeve. Kjo nuk është vetëm për të mirën e Kosovës dhe Serbisë, por edhe për paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)