E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Takimet në Nju Jork, mbështetje për Kosovën

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka njoftuar kabinetin qeveritar lidhur me vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në kuadër të mbajtjes së Sesionit Vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork ka zhvilluar takime të shumta me udhëheqës të lartë të shumë shteteve të botës.

"Dëshiroj të theksoj se pjesëmarrja jonë në këto takime, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar liderë nga e gjithë bota. Kosova që nga shpallja e pavarësisë, vazhdimisht ka qenë dhe është e pranishme në OKB, edhe gjatë këtij viti ne kishim një javë të ngjeshur me plot takime, me një mbështetje edhe më të fuqishme për Kosovë", theksoi Thaçi.

Ai ka veçuar takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i cili përshëndet progresin e arritur në Kosovë, pastaj Sekretarën amerikane të shtetit të SHBA-së, Hillary Clinton, gjithashtu edhe me baroneshën Ashton, me kryeministra të ndryshëm dhe liderë të tjerë botërorë, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
"Mund të them se në të gjitha këto takime kemi marrë një mbështetje të fuqishme për shtetin e Kosovës, të vendeve që kanë njohur Kosovën dhe atyre që janë në procesin e njohjes. Është konfirmuar mbështetja për Kosovën për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në veriun e vendit dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në OKB", deklaroi kryeministri kosovar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›