E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në Bruksel: Mora përkrahje për vizat

BRUKSEL - Kryeministri Hashim Thaçi, bashkë me dy ministrat e qeverisë së tij, Vlora Çitaku dhe Barjam Rexhepi, kanë takuar presidentin e BE-së Herman Van Rompuy, në Bruksel.

Sipas një njoftimi të zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Thaçi ka biseduar me presidentin Van Rompuy për progresin që ka shënuar Kosova në fusha të ndryshme.
Kryeministri Thaçi ka deklaruar se Kosova me politikën e saj konstruktive po vazhdon të kontribuojë për fqinjësinë e mirë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe Serbinë.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Thaçi gjithashtu ka thënë se “populli i Kosovës më shumë se kurrë duhet të jetë optimist, sepse siç ka theksuar ai, ka marrë përkrahje të plotë për nisjen e dialogut për vizat dhe për marrëdhëniet kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.”

Ndërkohë kryeministri Thaçi ka nënvizuar se Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane, të cilën po e përkrahin konkretisht edhe shtetet anëtare të BE-së.
Të enjten, kreu i qeverisë së Kosovës do të zhvillojë një takim me shefen për politikë të jashtme Catherine Ashton.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›