E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi:Plani 6-pikësh nuk ekziston

Gjashtëpikëshi ekziston vetëm në pyetjet tuaja, madje as në pyetjet që parashtrohen në Beograd nuk ekziston. Ai gjashtëpikësh është i vdekur për institucionet e Republikës së Kosovës dhe nuk do të jetë kurrë në tavolinën e Kosovës, as në tavolinat ndërkombëtare. Kështu është shprehur për të disatën herë kryeministri kosovar Hashim Thaçi i shtyrë nga mediat, ndërkohë që iu ka bërë thirrje mediave të Kosovës që ta çlirohen nga ai plan që nuk ekziston. Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka thënë se ai plan është projekt i tejkaluar si ide e Beogradit që është refuzuar kategorikisht nga Prishtina dhe nuk do të diskutohet kurrë. Ndërkaq përsa i përket raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Thaci ka thënë se ai raport do të jetë korrekt dhe konstruktiv. "Përsa i përket raportit ai do të jetë një raport korrekt, konstrutkiv, i mbështetjes për progresin në Kosovë, i prezentimit të këtij suksesi. Natyrisht do të paraqiten edhe sfidat dhe ballafaqimet, por ne do të vazhdojmë me axhendën tonë shtetërore, siç kemi punuar deri sot. Por unë ju ftoj edhe juve si media ta hiqni nga fjalori gjashtëpikëshin. Ai gjashtëpikësh është i vdekur dhe nuk ekziston", ka deklaruar Thaçi. I pyetur për ndalimin e ndihmësministrit serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Bojan Anxhelkovic, që të vizitojë vendin, Thaci nuk ka dashur të komentojë gjatë, por shkurtimisht ka thënë se do të respektohet Kushtetuta e Kosovës. "Ne do të vazhdojmë të respektojmë kushtetutën tonë dhe do të ndalohen të gjithë ata njerëz që nuk i respektojnë ligjet e Kosovës", ka thënë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›