Vendet e BE mblidhen për masa ndaj krizës

Kriza ekonomike ka mbledhur shefat e qeverive të 27 vendeve të BE-së. Europa lindore e prekur nga kriza ekonomike pret ndihmë nga Perëndimi. Në vendet e tyre shumë banka europiano - perëndimore luftojnë për të mbijetuar. Kësaj i shtohet tani rreziku i degëve të tyre në Europën Lindore, pasi edhe atje numri i kredive të këqija është në rritje. Nëse atje puna do të arrijë deri në bllokimin e procesit kredidhënës, rritja ekonomike do të ulet në masë drastike. Sipërmarrjet europiano - perëndimore në të kaluarën kanë realizuar atje fitime të majme. Për këtë arsye vendet europiano - lindore tani kërkojnë që Perëndimi dhe BE-ja t'i ndihmojnë për kapërcimin e krizës. Europa ka ndihmuar pjesën e saj lindore me 25 miliardë euro nga fondi i emergjencës për kredi, për vendet të cilat rrezikohen nga mungesa e likuiditetit. Plot 10 miliardë nga ky fond i janë dhënë tashmë Hungarisë dhe Letonisë. Por kur edhe Rumania trokiti javën e kaluar në dyert e BE-së për ndihmë. Komisari i politikës monetare Joaquin Almunia, u shpreh me qetësi: "Ka burime të mjaftueshme disponibël për të ndihmuar në raste të tilla edhe nëse do të paraqiten kërkesa nga vende të tjera". Megjithëse Komisioni i BE-së nuk pranon ende të thotë zyrtarisht, duket se një ndihmë shtesë në shumë miliardëshe për Europën Lindore pothuajse është vendosur. Por problemi në pjesën më të madhe është i brendshëm. Shumë vende nga Europa Qendrore dhe Lindore gjatë viteve të bumit ekonomik kanë marrë kredi të lira në euro, por monedhat vendase në kuadër të krizës financiare kanë humbur ndjeshëm në vlerë dhe këto vende duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë për të shlyer kreditë.