Thaçi: 2012-ta, viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se viti 2012-ta do të shënojë fundin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe në janar pritet vendimi përfundimtar. Ai tha se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
“Viti 2012 është viti kur do të mbushen katër vjet të pavarësisë së Kosovës. Do të jetë viti i përmbushjes së detyrimeve tona që kemi në përputhje me dokumentin e presidentit Ahtisaari. Pra, do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Natyrisht, nëse ne do të kemi rezultate konkrete, por kam besim të plotë se do ta përmbyllim me sukses”, tha kryeministri Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kryeministri komentoi edhe inciativen e Presidentes së Kosovës për themelimin e Këshillit Antikorrupsion, që do të përcaktojë politikat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. “Unë e falënderoj shumë presidenten për mbështetjen e saj për qeverinë e Kosovës në përkushtimin për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E ritheksoj, vetëm duke u angazhuar të gjithë rreth përkushtimeve tona për sundimin e ligjit, do të mund kemi sukses... Kështu që, kam besim në suksesin tonë të përbashkët”, tha kryeministri.
Kryeministri ka folur edhe për situatën në veri. Ai tha se Kosova do të vazhdojë të jetë sa më afër qytetarëve në veri. “Ne duam të jemi sa më afër tyre, ne mesin e tyre, t`i dëgjojmë, të komunikojmë dhe t`i kuptojmë drejt shqetësimet e qytetarëve. Për fat të keq, aty janë 200-300 persona që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme tash e 12 vite përmes kontrabandës, që mbajnë peng vullnetin e qytetarëve në veri, që kërcënojnë njerëzit, që nxjerrin fëmijë, gra dhe pleq në rrugë, por edhe barrikada, që paguajnë njerëz për të qëndruar në barrikada të ndryshme”, tha Thaçi. Por sipas tij, askush nuk është mbi ligjin, dhe ligji do të vendoset edhe në veri të Kosovës.
Duke komentuar deklaratën e presidenti serb, Boris Tadic, se një model si ai i Irlandës së Veriut do të mund të ishte shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaci tha se në asnjë rrethanë nuk do të ketë model që imponohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty këtu, modeli gjermano-gjerman, modeli Katalonisë, Tirolit apo Irlandës. “S`flitet më për modele. Kosova është rast specifik definitivisht, është vend sovran i njohur prej shumicës së vendeve të botës, vendeve më të fuqishme. Kosova është vend i pavarur e sovran me integritetin e saj territorial të njohur dhe të garantuar ndërkombëtarisht”, tha ndër të tjera kryeministri i Republikës së Kosovës.