E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Autostrada kushton rreth 700 milionë euro

Nga Express më 12 maj 2011 në ora 12:10

Kryeministri Hashim Thaçi ka dhënë një shifër të vlerës së kontratës së lidhur mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “Bechtel&Enka”, për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare me kërkesën e deputetes së Vetëvendosjes, Alma Lama, mirëpo kësaj të fundit, nuk i ka mjaftuar kjo e dhënë. Thaçi ka thënë se projekti do të kushtojë rreth 700 milionë euro, kurse deputetja Lama ka thënë se kërkon përgjigje të saktë, me centë.

Deputetët e kanë kaluar me shpejtësi kohën e pyetjeve parlamentare, pasi që nga 6 pyetje të parapara, janë shtruar vetëm dy, për shkak të mungesës së ministrave në seancë. Një pyetje e lexuar për ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani ka mbetur pa përgjigje për shkak të mungesës së ministrit, ndërkohë ka qenë vetëm kryeministri Thaçi ai që nuk ka lënë pa përgjigje deputeten Alma Lama.

I pyetur për vlerën e kontratës për ndërtimin e autostradës, Thaçi ka thënë se vlera sillet rreth 700 milionë euro, ndërkaq kjo marrëveshje sipas tij, ka qenë marrëveshja më e madhe e arritur nga Qeveria e Kosovës me ndonjë konzorcium ndërkombëtar për të punuar në ndonjë projekt të Kosovës.

Ai madje ka folur me optimizëm për kryerje të shpejtë të punëve në ndërtimin e kësaj autostrade, duke thënë se nga 34 kilometra që ishin paraparë të përfundonin në tetor, tani janë shtuar këto kilometra në 38.

“Në këtë autostradë punohet në 43 kilometra. Ishte planifikuar që deri më 30 tetor të përmbyllen 34 kilometra, tani kemi konfirmimin që nga puna e mirë që po bëhet dhe nga puna para afatit të planifikuar dhe në bashkëpunim të shkëlqyeshëm të Qeverisë me konzorciumin “Bektel&Enka” dhe me komunat për shpronësim të suksesshëm, më 30 tetor do të përmbyllen 38 kilometra të autostradës. Ndërsa nga shtatori apo në fund të gushtit planifikojmë të përfundojnë punimet edhe në Qafë të Duhlës për në Arllat. Vlera do të jetë rreth 700 milionë euro”, është shprehur Thaçi.

Megjithatë, deputetja Lama nuk është ndarë e kënaqur me përgjigjen e kryeministrit, duke thënë se duhet bërë publike komplet kontrata, ndërkaq për vlerën financiare, ajo ka thënë se duhet të jepet shifër e saktë me euro e me centë. Mirëpo, ajo ka mbetur pa përgjigje të saktë nga ana e kryeministrit.

Ndryshe, ditë më parë Kuvendi ka reaguar për vendimin e Qeverisë për fillimin e shpronësimit të pronave në trasenë që do të kalojë nëpër Qafë të Duhlës për në Arllat, duke theksuar se Qeveria po merr vendime kokë në vete pa e pyetur Kuvendin. Qeveria konsideron se me ndryshimin e trasesë do të shtohen 7 minuta kohë, por në anën tjetër do të kursehen 350 milionë euro. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›