Prifti: PS akuza qesharake ndaj meje

Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, reagoi në një konferencë për shtyp ndaj akuzave, sipas tij qesharake, shpifëse dhe të pabazuara të Partisë Socialiste, e cila kërkon dorëheqjen e tij si përgjegjësin kryesor të përmbytjeve në Shkodër.
“Të mendosh se e kemi ruajtur ujin në kaskadën e Drinit, për të bërë biznes është qesharake. Më 26 dhjetor kam dalë në një konferencë ku kam folur për situatën e rënduar. Rregullorja për menaxhimin e kaskadës së Drinit u zbatua me përpikëri”, u shpreh Prifti. Më tej, kreu i Dikasterit të Energjetikës akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama, dhe deputetin socialist, Erjon Braçe, për shpifje ndaj tij. Prifti theksoi se në Turqi udhëtoi për arsye shëndetësore familjare. “Kam qenë disa herë në Turqi në muajin dhjetor me leje të Kryeministrit dhe kam lëshuar urdhra të posaçëm për të menaxhuar situatën.
Edhe sot, babai im, ndodhet në Turqi sepse ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Unë nuk kam moralin e Edi Ramës të braktis familjen, në mënyrën se si e ka braktisur ai. Kam qenë dëshmitar personal kur Meta i tha Ramës, duhet të takosh fëmijën tënd. I ka thënë Meta se, nëse nuk do të takosh djalin tënd nuk do të jesh kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës. “Nuk ka më tolerim me këta njerëz që vetëm shpifin, që pengojnë integrimin. Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe besoj se e vërteta do të dalë shumë shpejt”, përfundoi fjalën e tij Prifti.
Në Asamblenë Kombëtare të saj, Partia Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha dhe ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti për atë të cilën kreu socialist Edi Rama e quajti si “katrahura e radhës” në Shkodër si përgjegjësit kryesorë të saj. Në punimet e Asamblesë, Rama tha se nuk ka arsye që deputetët e PS-së të paraqiten në Kuvend në një seancë të jashtëzakonshme, kur ajo nuk është fare e tillë.
#