Thaçi: Beogradi nuk do të pyetet për veriun e Kosovës
Qeveria e Kosovës ka diskutuar në fundjave për strategjinë e veriut të vendit. Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se kjo strategji është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
"Ka ekzistuar nevoja për një strategji të re aktive, një strategji kjo e cila është në pajtim me dokumentin e Ahtisarit, Kushtetutën e Kosovës dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, e cila do të reflektojë perspektivë demokratike integruese për veriun e Mitrovicës, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i shtetit tonë dhe respektimi i integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe zgjerimi i funksionalizimit të ligjshmërisë në çdo cep të Republikës së Kosovës dhe përmirësimi i situatës ekonomike gjithashtu", ka thënë kryeministri Thaçi. Sipas tij, strategjia përfshin rekomandime dhe orientime për katër fushat kryesore; në fuqizimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, reformimin e pushtetit lokal apo decentralizimin me themelimin e komunës së veriut, adresimi i qeverisjes vendore në tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe përmirësimin e situatës sociale dhe ekonomike. Më tej kryeministri Thaçi ka theksuar se në përputhshmëri me kushtet, rrethanat dhe realitet që do të krijohen, Qeveria e Kosovës do të mund të krijojë fond të veçantë për çështjen e përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike në veri të Mitrovicës. Kryeministri Thaçi ka kërkuar përfshirjen e të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet sukses i plotë.