E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohen pagat e reja për pedagoget dhe akademikët

Pagat janë vendosur sipas titujve dhe funksioneve

Jonida Tashi

Përcaktohen pagat e reja që do të marrin punonjësit akademikë gjatë vitit mësimor 2008-2009. Aktualisht pedagogët paguhen në bazë të titujve, të kualifikimeve ose gradave shkencore që kanë. Përveç punës në universitete si pedagogë, këta punonjës akademikë ushtrojnë edhe funksione të dyta në disa institucione të tjera të vendit. Vendimi për pagat e reja të personelit akademik është marrë para pak kohësh nga qeveria. Tashmë ky vendim u është dërguar edhe universiteteve publike të vendit, në mënyrë që t’i njohin punonjësit e tyre me pagat e vitit akademik 2008-2009.
Pagat
Drejtuesit e Akademisë së Shkencave do të përfitojnë pagat më të larta në rangun e pedagogëve që mbajnë tituj të tjerë si “Profesor” apo “Doktor”. Paga e vendosur nga qeveria për kryetarin e Akademisë së Shkencave është më e larta se gjithë profesorët e tjerë në vend. Kështu, gjatë këtij viti akademik drejtuesi i Akademisë do të përfitojë një pagë prej 162 mijë e 850 lekësh në muaj. Ndërkohë që zëvendëskryetari i Akademisë dhe sekretari Shkencor i saj do të marrin një pagë që ka një diferencë të vogël nga ajo e kryetarit e që përkatësisht është 129 mijë lekë në muaj për të dyja pozicionet. Qeveria gjithashtu ka përcaktuar se sa do të jetë paga e pedagogëve që mbajnë titullin “Akademik”, e cila është vendosur 117 mijë lekë në muaj. Ndërsa një lektor në universitet gjatë këtij viti akademik do të paguhet nga shteti me 77 mijë lekë në muaj.
Niveli
Niveli i pagave të pedagogëve sipas kategorive dhe vendeve të punës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa titujt akademikë jepen nga institucione të tjera të Arsimit të Lartë, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Kështu, titulli “Profesor i asociuar”, “Profesor emeritus” dhe “Docent” jepen nga institucionet e Arsimit të Lartë. Vetëm titulli “Profesor” jepet nga Këshilli i Ministrave. Kurse titulli “Akademik” jepet nga Akademia e Shkencave. Të drejtën e marrjes së titullit “Docent” e kanë anëtarët e personelit akademik me diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, ose ekuivalent i saj në vende të tjera, të vlerësuar me rezultatin “shumë mirë” ose “shkëlqyer” dhe që kanë një veprimtari mësimore-kërkimore në një universitet prej së paku 5 vitesh, përjashtuar diplomat e ekuivalentuara.
Personeli
Personeli akademik me kohë të plotë në universitetet publike mund ta tejkalojë normën vjetore për mësimdhënie deri në masën 30 për qind, pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Tejkalimi i paguar mbi 30 për qind i mësimdhënies së normuar vjetore mund të bëhet vetëm për nevoja të institucionit dhe me miratim nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesore të universiteteve publike mësimdhënia e normuar vjetore duhet të jetë deri në 150 orë mësimore në vit, apo 150 orë punë vjetore për veprimtari të kërkimit apo krijuese. Personeli akademik i ftuar mund të thirret nga një universitet publik kur institucioni nuk i plotëson nevojat për mësimdhënie nga personeli akademik i punësuar me kohë të plotë në të. Personeli ndihmës, i cili mbështet mësimdhënien, kërkimin apo krijimin duhet të punësohet me kontratë në përshtatje me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë.

Renditja e funksioneve me paga fikse

A1 Kryetar i Akademisë së Shkencave 162.850

A2 Zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave 129.000
Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave

A3 Akademik 117.000

A4 Profesor
Këshilltar i Shefit të Përgjithshëm 103.500
të Forcave të Armatosura

A5 Profesor i asociuar
Këshilltar i Kryetarit të Gjykatës së Lartë 89.250
Këshilltar i Prokurorit të Përgjithshëm

A6 82.000

B1 Lektor
Punonjës kërkimor 77.000

B2 74.000

B3 Pedagogë 66.500
Kërkues
Rektor (pa titull/gradë shkencore)

B4 Asistent në shkollat e larta 58.500

B5 Përgjegjës zyre në Prokurorinë e Përgjithshme 48.300
Inspektor kontrolli në Prokurorinë e Përgjithshme
Përkthyes në Prokurorinë e Përgjithshme

C1 43.000

C2 Informaticien në Gjykatën e Shkallës 39.000
së Parë dhe në Gjykatat e Apelit

C3 Sekretar i Kancelarit të Gjykatës së Lartë 33.700

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›