Fakulteti Elektrik vendos mesataren mbi 8 si kriter pranimi për masterin 2-vjeçar
Fakulteti Elektrik i Universitetit Politeknik në Tiranë ka vendosur mesataren mbi 8 si kriter pranimi të studentëve në masterin 2-vjeçar. Kjo ka bërë që gjashtë studentëve, të cilët kanë mbaruar studimet 3-vjeçare në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, t’u rrezikohet nisja e këtyre studimeve për shkak të mesatares më të ulët se 8. Megjithëse 50 kuotat e pranimit, të përcaktuara nga qeveria për masterin 2-vjeçar në këtë fakultet nuk plotësohen dot me studentë me mesatare mbi 8, drejtuesit e tij nuk kanë pranuar t’i pranojnë këta studentë, të cilët prej disa ditësh enden zyrave të tij për të gjetur një zgjidhje. Por endja e kotë në fakultetin ku u diplomuan i ka detyruar ata që për zgjidhjen e këtij problemi t’i drejtohen edhe rektorit të Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, me shpresën se ky do t’i ndihmojë. Rektori i Politeknikut, pasi është njohur me kërkesën e studentëve, i ka dërguar një shkresë zyrtare drejtuesve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike që të marrin parasysh kërkesën e studentëve. I pyetur nga gazeta për këtë problem, Kaçani është përgjigjur se do të gjendet një zgjidhje. “I kam nisur një shkresë Këshillit të Fakultetit për rishikimin e vendimit të marrë dhe miratimin e kërkesës së studentëve”, -pohon kreu i Politeknikut. Në letrën e dërguar Këshillit të Fakultetit Elektrik, Kaçani ka argumentuar me faktin se ky kriter i mesatares është vendosur pas miratimit të hapjes së programit të studimit dhe studentët nuk kanë pasur informacionin e nevojshëm për kushtet e pranimit. Gjithashtu, Kaçani u ka kërkuar drejtuesve të Fakultetit Elektrik që të marrin në konsideratë faktin se numri i studentëve që plotësojnë kriteret e vendosura (8 studentë) është më i vogël se numri minimal i studentëve për hapjen e programit të studimit të miratuar, që është 10 studentë.
24 Tetor 2008