Dialogu për vizat s'është dhuratë, por meritë

Mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si të veçantë për faktin që është e para që mbahet pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së të aprovuar edhe nga liderët e vendeve të BE-së për hapjen e perspektivës evropiane për Republikën e Kosovës.
“Këshilli i Ministrave të BE-së ka nxjerrë konkluzione për të hapur dialogun për liberalizim të vizave, marrëdhëniet kontraktuale me BE-në dhe anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pra vendimi për hapjen e dialogut është marrë nga Brukseli, diçka e tillë më është konfirmuar edhe mua në vizitën që isha javën e kaluar në Bruksel. Vendimi politik është marrë, është çështje teknike e ekipeve se kur do të takohen në Prishtinë apo Bruksel, është çështje e ditëve të ardhshme. Prishtina është e gatshme t’i hyjë implementimit menjëherë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se edhe pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë qenë unike për agjendën e re evropiane të Kosovës.
Kjo, ka thënë Thaçi, nuk është dhuratë nga BE-ja, por është meritë e Kosovës, e cila e ka dëshmuar këtë edhe në raport me Bashkimin Evropian, ndërkohë ka shprehur bindjen se në afat rekord do të plotësohet gjithë lista e prioriteteve për arritjen e këtyre objektivave.
“E dini ka pasur skeptikë që Kosova do ta fitojë këtë agjendë konkrete evropiane, por mbi atë skepticizëm ka dominuar puna jonë, përgjegjësia jonë, përgjegjësia evropiane, përgjegjësia për të respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet tona, për të vazhduar me qeverisjen e mirë, efektive, të sundimit të ligjit, të luftimit të dukurive negative. Prandaj po hapim kapitullin e ri të implementimit nga janari, të kritereve të nevojshme për liberalizim”, ka thënë Thaçi, duke shtuar që disa prej kritereve janë plotësuar madje edhe para fillimit të këtij dialogu.
Kreu i ekzekutivit e ka vlerësuar sukses të madh edhe vlerësimin pozitiv të KFOR-it për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për hapjen e perspektivës së shpejtë për integrimin e kësaj force në strukturat e partneritetit për paqe.
Ndërkohë, Thaçi ka shprehur bindjen e thellë se në seancën e 20 dhjetorit, do të miratohet Projektbuxheti për vitin 2012.
“Kam besim të plotë që buxheti do të kalojë siç është planifikuar. Është buxhet i rritjes së pagave për punëtorët e arsimit, shëndetësisë, shërbyesve civilë, pjesëtarëve të FSK-së, administratës publike, buxhet i gjithë kategorive të punëtorisë kosovare dhe në të njëjtën kohë flas me bindje të plotë se viti i ardhshëm do të jetë vit i konsolidimit të shtetit tonë në kuptimin edhe në raport me mekanizmat ndërkombëtarë, do të hapet perspektivë e re e marrjes së përgjegjësive tona si shtet, por edhe i reformave të thella demokratike”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se 2012 do të mbetet vit i agjendës evropiane të Kosovës, vit i rendit, zhvillimit ekonomik, rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe perspektivës së përgjithshme të vendit tonë./Kosovapress/