Kacin: BE s’i ka kërkuar Serbisë njohjen e Kosovës

“Parlamenti Evropian nuk ka asnjë informacion se Komisioni Evropian do të mund të kërkonte nga Serbia njohjen e Kosovës. Unë qëndroj prapa kësaj deklarate. Asnjë vend tjetër, vend anëtar i BE-së, nuk mund ta kërkojë njëanshëm një gjë të këtillë”, ka thënë Kacin.
Sipas tij, deklarata e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, e cila u pasua edhe me deklaratën e presidentit serb, Boris Tadiq, se njohja e Kosovës është kusht për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, është dhënë për qëllime të brendshme politike, në kuadër të një fushate parazgjedhore.
“Këtë deklaratë e kuptoj në kontekstin e nevojave parazgjedhore, por për mua, duke qenë se jam i angazhuar rreth Serbisë, kjo deklaratë e tërheq Serbinë prapa nga realiteti dhe e çon në mitologji. Kosova nuk mund ta fitojë në afat të shkurtër kohor statusin e kandidatit, por Serbia mund dhe mendoj se e meriton një gjë të këtillë”.
“E vetmja gjë që kërkohet nga Serbia është që të mundësojë lirinë e lëvizjes për njerëzit, mallrat dhe kapitalin, që është parim thelbësor i BE-së. Barrikadat dhe bllokadat nuk mund të jenë përgjigje ndaj sfidave që gjenden para Serbisë deri në muajin mars, kur do të shqyrtohet sërish çështja e statusit të kandidatit për Serbinë”, ka thënë Kacin për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti serb, Boris Tadiq, ka thënë se kërkesa e BE-së që Serbia ta njohë Kosovën është bërë në çastet e fundit të bisedimeve për statusin e kandidatit, kërkesë të cilën, sipas tij, Serbia e ka hedhur poshtë.
Edhe ministri i Brendshëm serb, Daçiq, ka thënë të martën se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të fitojë statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian në muajin mars.
Daçiq: Formalisht nuk kanë kërkuar njohjen e Kosovës, por...
Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë se pohimet se para Serbisë nuk është vënë asnjë kërkesë formale për të njohur pavarësinë e Kosovës tingëllojnë mirë për opinionin, por që në thelb ato mbeten jo të vërteta.
"Mbase është e vërtetë se formalisht BE-ja nuk na ka kërkuar ta njohim Kosovën, por nëse pranojmë ato që na kërkojnë, atëherë kjo nuk është larg asaj që kemi thënë”, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Beograd.
Kjo deklaratë e tij pason atë të raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, i cili ka hedhur poshtë njoftimet e Daçiqit dhe presidentit serb Boris Tadiq, se BE-ja ka kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës, për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Daçiq ka thënë se gjasat që Serbia ta fitojë këtë status në mars janë të vogla, nëse para saj mbeten kushtet e njëjta për përmbushje, duke qenë se Serbia nuk do ta ndryshojë qëndrimin që ka. /rel/