E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Do të punojmë ngushtë me misionin e EULEX-it

Prishtinë – Në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme organizoi tryezë të rrumbullakët me temën: ”Inicimi i hartimit të strategjisë kundër krimit të organizuar 2009 - 2011”.

Duke folur për veriun e Kosovës, pastaj për një varg problemesh që janë të theksuara në këtë pjesë të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me EULEX-in, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se ”është detyrë dhe obligim i të gjithëve që të sigurojmë që, sidomos në Veriun e Kosovës, qytetarët e atjeshëm që duan të respektojnë ligjin dhe të jetojnë të lirë nga këto fenomene negative, të mund ta bëjnë këtë. Mungesa e sundimit të ligjit, tolerimi i strukturave ilegale paralele dhe lulëzimi i korrupsionit dhe kontrabandës shkon në dëm të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të punojmë ngushtë me misionin e EULEX-it për të siguruar që sundimi i ligjit të vlejë njësoj për të gjithë në tërë territorin e Kosovës. Askush nuk duhet dhe nuk mund t’i fsheh interesat e ngushta ekonomike dhe kriminale pas politikës. Institucionet shtetërore të Kosovës, spektri i gjerë politik, shoqëria civile i kanë thënë PO të fuqishme shtrirjes së plotë të EULEX-it”.

Sipas shefit të ekzekutivit, njëkohësisht, ato i kanë thënë JO përpjekjeve për të legalizuar gjendjen jolegale dhe për të dobësuar funksionimin unik të shtetit tonë. “Natyrisht, institucionet e Kosovës në përgjithësi, e Ministria e Punëve të Brendshme në veçanti, përveç përkushtimit dhe gatishmërisë për të luftuar fenomenet negative, kanë ndërmarrë hapa konkretë për t’i zbatuar ato në praktikë. Agjencia Antikorrupsion e Kosovës tashmë ka proceduar një numër lëndësh në prokurorinë publike. Agjencia ka ndërhyrë edhe në rastet kur ka hetuar konflikt interesi. Qeveria para pak kohësh ka miratuar Strategjinë e Menaxhimit të Integruar të Kufinjve të vendit tonë. Me miratimin e ligjit mbi Policinë dhe Inspektoratin Policor në shkurt të këtij viti, Policia e Kosovës tani ka një bazë ligjore dhe moderne për të mbrojtur popullin e Kosovës nga rreziku i krimit dhe fenomeneve të tjera negative”.

Lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore, thaçi u shpreh se “Qeveria e Kosovës, e ka vënë si prioritet edhe problemin e dhimbshëm të trafikimit të qenieve njerëzore duke miratuar strategjinë dhe planin e punës antitrafikim, dhe duke iniciuar fushatë për luftimin e tij. Përpjekjet tona do të jenë të pa kompromis në drejtim të çrrënjosjes së dukurive negative të korrupsionit, trafikimit, kontrabandës, fshehjes së tatimit. Suksesi ynë në luftimin e këtyre dukurive do të ndihmojë shumë në ngritjen e imazhin pozitiv të Kosovës si vend demokratik, me sundim të ligjit. Vetëm me një imazh të tillë pozitiv, vendi ynë do të tërheq investime direkte të huaja dhe të pranohet si anëtar i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është në interesin tonë si institucione shtetërore, në interesin e të gjithë qytetarëve tanë, në interesin e rajonit dhe përfundimisht në interesin e investimeve të mëdha të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

Në vazhdim, ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi tha se ”e konsideroj të rëndësishme organizimin e kësaj tryeze të rrumbullakët, sepse ne angazhohemi për të bërë hartimin e një strategjie të rëndësishme, e cila do të na lejojë që ta realizojmë premtimin e dhënë për zero tolerancë kundër korrupsionit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe të gjitha krimeve të tjera”.

Duke folur për krimin e organizuar, ministrja Kelmendi theksoi se ”krimi i organizuar ka për qëllim përfitimin e paligjshëm, i cili deomos i lidhë së paku dy persona. Krimi i organizuar aktualisht i godet të gjitha shtetet, si ato të qëndrueshme, ashtu edhe ato të paqëndrueshme, shtetet me demokraci tradicionale dhe shtetet ne tranzicion. Nuk mund të thuhet se krimi i organizuar është dukuri që i ka kapluar vetëm shtetet e Evropës Lindore të dala nga sistemi monist”, tha ndër të tjera ministrja e drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi.

Në këtë tryezë morën pjesë, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Brendshme, z. Zenun Pajaziti, ministrja e Drejtësisë, znj. Nekibe Kelmendi, ministri për Ekonomi e Financa, z. Ahmet Shala, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Fatmir Xhelili, Kryeprokurori i kosovës, z. Hilmi Zhitia, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Rexhep Haxhimusa, gjeneral major, Rrahman Sylejmani nga Policia e Kosovës, drejtori i Doganave të Kosovës, z. Naim Huruglica, drejtori i Agjencionit Kosovar kundër Korrupsionit, z. Hasan Preteni, z. Rainer Kuehn, përfaqësues i policisë së EULEX dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›