Thaçi: Dora e Isa Mustafës është dorë e së kaluarës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për BBC-në, deklaroi se viti 2010 ishte një vit historik në ndërtimin e Kosovës. Ai ka pranuar se viti 2010, ishte një vit i sfidave dhe vështirësive të mëdha, por të tejkaluara më sukses.
Duke folur për sfidat e vitit të ardhshëm, ai ka premtuar se Kosova në fund të vitit 2011 do të jetë shumë afër liberalizimit të vizave, ndërkaq në mandatin e tij katërvjeçar si kryeministër, ajo do të jetë anëtare e NATO-s.
Nderkaq, raportin e Dick Marty-t, Thaçi e ka quajtur “raport racist”.
Duke e komentuar vitin 2010, që për shumë vlerësohet si një vit i rëndë për Kosovën, kryeministri në largim, Hashim Thaçi tha se “ishte një vit i përpjekjeve të mëdha, i një pune shumë vetëmohuese, por dhe një vit i suksesit të jashtëzakonshëm.
"Që në fillim të këtij viti ne filluam ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, një projekt madhor për vendin dhe qytetarët tanë, filluam projektin e realizimit të ëndrrave të qytetarëve të Kosovës, gjithashtu vazhduam me përpjekjet tona për njohje të reja për vendin tonë, kemi arritur në 72 njohje, jashtëzakonisht të fuqishme, pastaj vazhduam me përpjekjet tona për fitoren e jashtëzakonshme në GJND, duke njohur të drejtën ndërkombëtare të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa edhe në Asamblenë e Përgjithshme ishte një sukses solid për Kosovën".
"Gjithashtu gjatë kësaj periudhe u ballafaquam me sfidat e rëndësishme të implementimit të kritereve demokratike të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave dhe perspektivën tonë euro-atlantike.
Reformat kanë vazhduar gjatë tërë kohës, në ekonomi, legjislacion por edhe në politikë, prandaj sot kemi vendin tonë vend demokratik, të sundimit të ligjit, të përpjekjeve në luftë të pakompromis ndaj dukurive negative”.
Ndërkaq duke folur për vështirësitë dhe sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë këtij viti Thaçi tha se “unë theksova në kuadër të suksesit të madh që kemi arritur si shtet dhe shoqëri, kemi pasur edhe sfida, të cilat kanë qenë të koklavitura, por kemi arritur që bashkarisht t`i tejkalojmë.
Edhe dërgimi i padrejtë i z.Haradinaj në Hagë ishte një lajm shumë i keq për shtetin, për popullin e Kosovës dhe për familjen e z.Haradinaj. Unë besoj në pafajësinë e tij të plotë dhe kthimin e tij në shtëpi dhe në jetën institucionale të Kosovës.
Thaci u ndal dhe ne zgjedhjet e 12 dhjetorit, te cilat sipas tij ishin të suksesshme, të vlerësuara edhe nga ndërkombëtarët,ku ka mbetur për t`u plotësuar edhe ai vakumi i izoluar demokratik.
“Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur dhe sovrane, zgjedhje këto që arritën standarde të larta ndërkombëtare, të vlerësuara edhe prej SHBA-së dhe BE-së si dhe prej mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, por në të njejtën kohë edhe nga monitoruesit ndërkombëtarë të organizatës ENEMO".
Në këtë intervistë Thaçi foli edhe për raportin e Dick Marty dhe si e ka përjetuar raportin ai. Thaçi theksoi se “Unë kurrë në jetën time nuk kisha dëgjuar diçka të tillë. Raporti i Dick Martyt është një raport racist, proserb, gebelsian, duke sharë e sharë sa më tepër kundër shtetit të Kosovës, atij të Shqipërisë, drejtuar kundër kombit shqiptar, kundër konsolidimit dhe forcimit të shtetit, kundër njohjeve të reja dhe frymës euro-atlantike të Kosovës.
Sipas tij, këtë raport e rrëzon vetë realiteti, e rrëzon e vërteta dhe jo gënjeshtra dhe trillimi i Dick Martyt.
“Unë do ta ndjek këtë çështje në kuptimin legal të ngadhënjimit të drejtësisë, mbi këto shpifje, intriga ndaj shtetit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon, por raporti i Dick Marty-t është drejtuar edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe kundër NATO-s, edhe kundër BE-së, presidentëve Clinton, Bush, kryeministrit Blair, gjithë personaliteteve dhe miqve që kam bashkëpunuar gjatë çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të pavarësisë, prandaj raporti i Dick Marty-t do të ketë pasoja për imazhin e shtetit të Kosovës, por e vërteta është në anën tonë”.
Thaçi tha se “ne nuk kemi asgjë për të fshehur, këto shpifje të Dick Marty-t të bartura nga libri i Carla del Pontes dhe shërbimet serbe janë hulumtuar tri herë deri tani, një herë nga Tribunali i Hagës, pastaj nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i, kështu që është në interesin e shtetit të Kosovës transparenca dhe natyrisht të rikonfirmohet e vërteta”.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për imunitetit të Dick Marty-t. Drejtësia vonohet por ngadhënjen, por do të punoj që mbi Dick Marty-n të fitojë drejtësia, në kuptimin legal, por edhe drejtësia e Zotit`.
Në pyetjën e BBC se si do ta krijoni qeverinë dhe me kë, Thaçi u përgjigj se “unë jam duke punuar për krijimin e një qeverie shumëpërfshirëse, integruese dhe shumëetnike, që do të garantonte një funksionalitet në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të vendit.
Unë do t`ju shërbej të gjithë qytetarëve dhe i falënderoj ata për besimin e lartë që kanë treguar për vizionin tim, duke shënuar një fitore të thellë të PDK-së në zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Kjo është një përgjegjësi shtesë sepse zgjedhjet ishin referendum për qeverisjen time trivjeçare, pra do të bashkëpunoj me spektrin politik shqiptar dhe joshqiptar në mënyrë që të nxjerrim një qeveri të konsoliduar, një qeveri të stabilitetit, një qeveri integruese, që punon për Kosovën evropiane, reformatore, për një Kosovë me sundim të ligjit, për një Kosovë e cila do të afrohet shpejt për t`u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por për një Kosovë që meriton marrjen e liberalizimit të vizave në 15 muajt e ardhshëm.
Unë do të bëj qeveri me atë spektër që i përgjigjet kushteve apo platformës, prioriteteve që kam prezentuar në fushatën elektorale.
Unë kam prezantuar se do të vazhdoj investimet kapitale, tashmë për autostradë veç janë ndarë mjetet, rreth 275 milionë euro, do të vazhdoj për reformat në arsim, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, reformat në shëndetësi, pra do të ketë një qeveri që do të punojë për reformat demokratike për Kosovën evropiane.
Prioritetet e mia janë shumë të qarta, janë të një spektri të qendrës së djathtë, pra qeveria do të udhëhiqet prej një spektri që do të garantojë stabilitet, integrim, reforma, shumëetnicitet dhe natyrisht orientim të qendrës së djathtë.
Mentaliteti i së kaluarës nuk do të jetë në qeverinë time dhe natyrisht edhe aventurier politik nuk do të ketë në qeverinë time, pra do të kemi një qeveri të prioriteteve të qendrës së djathtë.
Rreth mundësisë së krijimit të një qeverie teknike, përsëritjen e zgjedhjeve në vjeshtë, Thaçi tha se “ fillimisht zgjedhjet do të mbahen në Prishtinë në vitin 2013. Tani jemi duke e ndërtuar një platformë që t`a kthej identitetin dhe dinjitetin e Prishtinës.
Jam duke punuar për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe nuk do të harroj për të ndërtuar Prishtinën, gjithashtu evropiane. Që ta nxjerr nga ky kolaps, nga kjo ngulfatje, nga ky kaos urbanistik, nga kjo keqqeverisje dhe nga papastërtia numër një në Evropë. Nga ky vision i munguar evropian për Prishtinën.
Pra, fryma evropiane e Kosovës do t`a përfshijë edhe Prishtinën në një të ardhme të afërt, kjo me një lidership të ri, me qeverisje të re efektive, duke mos u marrë shumë me politikë, por duke u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit.
Rreth deklaratës së Isa Mustafa se “ai nuk është i gatshëm t`iu shtrijë dorën e fitorës për këto zgjedhje, “Thaçi tha se “ajo është një dorë e së kaluarës dhe unë i shtrëngoj duart me njerëzit e së ardhmes për vendin”.