E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Formimi i Qeverisë, punë e kryer

Nga Express më 19 janar 2011 në ora 18:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, gjatë vizitës që i bëri shumë familjeve mitrovicase, me ç’rast shpalosi programin dhe synimet e kësaj partie për qytetarët në rivotimin e 23 janarit, ka thënë se qeveria e re do të formohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Të mërkurën në Mitrovicë ka nisur fushata parazgjedhore për rivotimin e së dielës në këtë komunë, pas konstatimeve për parregullsi në procesin zgjedhor të 12 dhjetorit. Me këtë rast kreu i PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për PDK-në.

“E di se krejt kjo është e panatyrshme që ju duhet të dilni edhe një herë në zgjedhje. PDK ka shënuar një fitore bindëse dhe ju keni kontribuar në këtë fitore, andaj ju duhet të kontribuoni me deputetë dhe ministrat e juaj që qeverisja e ime në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të jetë më e lehtë”, ka thënë kryeministri i Kosovës në largim.

Sipas tij, derisa të tjerët kundërshtonin si të pamundur rritjen e pagave, ai garantoi arsimtarët, policët, shërbyesit civilë dhe gjithë të tjerëve se ato do t’i marrin me rritje që nga ky muaj. Thaçi ka thënë se ende pa e formuar qeverinë, janë duke u realizuar premtimet e dhëna.

“Formimi i Qeverisë është punë e kryer, sepse kemi arritur që synimet tona programore t’i përkrahin edhe disa parti tjera, dhe ajo do të formohet menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se “disa vështirësi nga disa njerëz që janë kundër arritjeve të Kosovës, do të tejkalohen së bashku me miqtë tanë”. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›