E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj: Problemi i Mitrovicës nuk është në urë, por në Prishtinë

Nga Express më 19 janar 2011 në ora 18:20

Drejtuesit e AAK-së kanë shpalosur para mitrovicasve programin dhe synimet që ofrojnë për qytetarët në rivotimin e 23 janarit që do të mbahet në Mitrovicë.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, të mërkurën ka thënë se ka ardhur koha që pushteti të shtrihet në çdo pjesë të vendit dhe t’iu thuhet haptazi stop atyre që ditën janë patriotë dhe natën kontrabandistë.

Sipas tij, fillimisht duhet të vendosen pikat doganore, dhe jo që në Kosovë të hyjë e të dali kush të dëshirojë.

“Problemi i Mitrovicës nuk është në urë, por në Prishtinë. Atje po ua prenë teshat pa i provuar fare ju, dhe kur po ua sjellin këtu, juve nuk po ju bien tamam”, ka thënë Haradinaj, siç transmeton Kosovapress.

Ai e ka quajtur të gabuar qasjen e qeverisë së deritashme ndaj zgjidhjes së problemit të Mitrovicës, duke thënë se nëse është e nevojshme, më mirë është të humbë AAK-ja, sesa shteti.

“Ne duhet ta dimë se për çka po na thërrasin në qeveri. Këtë duhet ta di edhe populli. Këtu po fshihet diçka, sepse dikush i ka shti fjalët peng. Ai që ka pranuar të hyjë në negociata për veriun, gabohet”, u shpreh mes tjerash Haradinaj, duke shtuar se “në rast se na thërrasin në qeveri për të dhënë veriun, le ta harrojnë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›