Thaçi: Kosova dhe Serbia të njihen si shtete më vete
ka theksuar se probleme nuk ka sa i përket Kosovës, por probleme ka Serbia, e cila krejt padrejtësisht dhe jomençurisht po bojkoton këto takime, që tek e fundit po i kthehet si bumerang. Vizioni ynë është bashkëpunimi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, respekti i ndërsjellë dhe perspektiva euroatlantike, vlerësoi ai.
- Në takimin në Bërdo afër Kranjit nuk erdhi presidenti i Serbisë Boris Tadiç, për shkak se Kosova u ftua si shtet dhe jo sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Si mund të tejkalohen problemet rreth pjesëmarrjes së Kosovës dhe Serbisë në takimet e këtilla, pasi bashkëpunimi rajonal është një prej kushteve kryesore në rrugën e integrimeve evropiane?
Probleme nuk ka sa i përket Kosovës. Probleme ka Serbia, e cila krejt padrejtësisht dhe jomençurisht po bojkoton këto takime, që tek e fundit po i kthehet si bumerang. Vizioni ynë është bashkëpunimi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë, respekti i ndërsjellë dhe perspektiva euroatlantike.
- Ju deklaruat para gazetarëve se zgjidhja më e mirë për Prishtinën dhe Beogradin do të ishte njohja bilaterale e Kosovës dhe Serbisë si shtete. Mendoni se kjo është reale?
Mendoj se definitivisht duhet të merret ky vendim edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi, në mënyrë që të ndodhë hapi i rëndësishëm i perspektivës së bashkëpunimit rajonal, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës sonë të përbashkët për t'u anëtarësuar në familjen evropiane.
- Serbia disa herë ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Prishtinën për statusin e Kosovës, ndërkohë që ju jeni për dialog, por vetëm për çështjet konkrete. A është i mundur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në kushte të këtilla?
Këtë çështje Serbia gati e ka harruar e nëse jo, do ta harrojë. Çështja e statusit është e përfunduar në bazë të dokumentit të presidentit Ahtisari, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm, një proces i cili tash e tutje ka për synim forcimin e shtetit, demokratizimin, multietnicitetin dhe integrimin në NATO dhe BE.
- Jeni ju të gatshëm për pjesëmarrje në takimet e ngjashme, të cilat eventualisht do të organizoheshin edhe në Beograd?
Ne do të marrim pjesë në të gjitha takimet, ku Kosova përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran, siç do ta ftonim edhe Beogradin që të marrë pjesë në takimet, që do të mbaheshin në Kosovë. Ne duhet t'ia lehtësojmë punën njëri-tjetrit për tu intergruar e jo ta pengojmë njëri-tjetrin. Është pra një veprim i njëanshëm, jo i qëlluar dhe jo i drejtë i Beogradit, për mosparticipim. Por herët a vonë Beogradi do të bindet për pjesëmarrje.
- Qeveria juaj ka hartuar një strategji për veriun e Kosovës. Çfarë ju bën optimist se mund ta realizoni këtë strategji?
Unë jam optimist dhe gjërat kanë filluar të lëvizin. Kemi formuar grupet punuese për sundimin e ligjit, për formimin e komunës së re, por edhe për organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komuna në veri të Mitrovicës si dhe për angazhimet socio-ekonomike. Kemi prezencën atje edhe të NATO-s dhe EULEX-it.
- A keni njoftime për gatishmërinë më të madhe të serbëve të veriut për pjesëmarrje në proceset, që organizohen nga qeveria e Kosovës, pasi deri tani ato janë bojkotuar prej tyre?
Për mua ishin impresionuese deklarimet e kryeministres së Kroacisë, Jadranka Kosor, e cila tha se ata i inkurajojnë dhe u sugjerojnë kroatëve në Bosnje-Hercegovinë që kryeqyteti i tyre është Sarajeva, se shteti i tyre është Bosnje-Hercegovina dhe se perspektiva e tyre është në këtë shtet. Mendoj se edhe zoti Tadiç duhet të marrë guximin qytetar dhe shtetëror që të dërgojë mesazhe të këtilla edhe për serbët në veri, se kryeqyteti i tyre është Prishtina, shtet i tyre është Kosova dhe perspektiva e tyre është në Kosovë.
- Kryeministri i Republikës Serpska, Millorad Dodik këto ditë mbështeti idetë për ndarjen e Kosovës, me qëllim që të ndahen edhe serbët e Bosnje-Hercegovinës...
As nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as nuk do të ketë dialog për statusin dhe as nuk do të ketë Dejton. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht.
Në prill dorëzohen përgjigjet për marrëdhënie tregtare me BE
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga ministrat e kabinetit të tij që të përmbyllin të gjitha punët dhe të jenë gati deri më 7 prill me të gjitha përgjigjet finale për pyetësorin e marrëdhënieve tregtare të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian. Ai ka përsëritur refrenin për reforma në çdo dikaster të qeverisë, sundim të ligjit, qeverisje efikase dhe luftë kundër korrupsionit në rrugën për procesin e integrimit të Kosovës në BE. Zotimi i kreut të ekzekutivi është përsëritur në mbledhjen e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE. Thaçi ka thënë se angazhimi i qeverisë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian do të jetë më serioz dhe më efikas. Ne presim që së shpejti të marrim edhe udhërrëfyesin për liberalizmin vizave dhe ky do të jetë një proces i rëndësishëm për vendin. Ne kemi marr disa masa dhe jemi duke punuar për reforma në të gjitha segmentet, u shpreh ndër të tjera ai. Pyetësori për marrëdhënie tregtare me BE-në përmban pyetje të ndara në 33 kapituj dhe përgjigjet e qeverisë së Kosovës do ti dërgohen Komisionit Evropian deri në mesin e prillit të këtij viti.